Stuhia rrezikon Realin dhe Juven: Ndeshja në Miami mund të shtyhet
Ndeshja e raundit të 16-të të Kupës së Botës për Klube mes Real Madridit dhe Juventusit, e cila është planifikuar të luhet sonte në orën 21:00 (sipas orës lokale), në Miami, është në rrezik për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Kombëtar të SHBA-së, në zonën e Miamit priten reshje të dendura shiu dhe stuhi me bubullima mes orës 14:00 dhe 15:00, me mundësi që moti i keq të përshkallëzohet gjatë fillimit të ndeshjes në stadiumin Hard Rock.
Organizatorët e turneut kanë paralajmëruar se janë të gatshëm për çdo skenar dhe do të veprojnë sipas protokolleve të rrepta të sigurisë, të ngjashme me ato të MLS apo NFL. Këto parashikojnë një ndërprerje minimale prej 30 minutash në rast se zbulohet një rrufe brenda një rrezeje prej 13 kilometrash nga stadiumi. Çdo rrufe shtesë e regjistruar shton edhe 30 minuta të tjera pezullim të ndeshjes.
Ky rrezik i stuhive sjell kujtime nga përballja e fundit mes Chelseat dhe Benficës, e cila u ndërpre për gati dy orë për shkak të motit ekstrem.
Zhvillimet do të ndiqen në kohë reale dhe çdo vendim për shtyrje apo anulim do të merret në koordinim të plotë me autoritetet lokale dhe Federatën Ndërkombëtare të Futbollit.
Flaka














