“Botë serbe” në vend të Europës – Akuza e BDI-së për pushtetin aktual
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj, siç thonë, “një vale të re punësimesh diskriminuese” në institucionet publike të Maqedonisë së Veriut. Sipas kësaj partie, gjatë javës së fundit janë kryer qindra punësime në dhjetëra institucione dhe ndërmarrje shtetërore, pa përfaqësim të asnjë qytetari nga komuniteti shqiptar apo nga komunitetet tjera joshumicë.
“Shprehim shqetësim serioz për trendin e përjashtimit sistematik të qytetarëve nga komuniteti shqiptar dhe komunitetet e tjera etnike nga institucionet publike,” thuhet në reagimin zyrtar të BDI-së.
Partia thekson se kjo nuk është thjesht një neglizhencë administrative, por një politikë e qëllimshme që godet përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, të garantuar me Kushtetutë.
“Sipas të dhënave të disponueshme, asnjëri nga të punësuarit nuk i përket ndonjërit nga komunitetet që përbëjnë mbi 40% të strukturës shoqërore të shtetit. Ky model nuk është rastësi administrative, por tregon për një qasje të institucionalizuar që minon përfaqësimin e drejtë të garantuar me Kushtetutë,” deklaron BDI.
Sipas kësaj force politike, situata ka krijuar “një asimetri serioze institucionale” që rrezikon funksionalitetin e sistemit multietnik dhe po e largon vendin nga vlerat evropiane të gjithëpërfshirjes dhe barazisë.
“Ky trend zhvillohet paralelisht me stagnimin e procesit të integrimit evropian dhe afrimin e hapur të shtetit me konceptin e të ashtuquajturit ‘botë serbe’,” paralajmëron më tej BDI, duke shtuar se pasojat tashmë janë të dukshme: humbje besimi në institucione, apati në rritje tek të rinjtë dhe thellim i ndarjeve etnike.
Në fund, partia i bën thirrje institucioneve shtetërore që të ndalin këtë qasje diskriminuese dhe të kthehen në përputhje me standardet evropiane përmes “institucioneve transparente, gjithëpërfshirëse dhe të drejta që pasqyrojnë realisht strukturën multietnike të vendit”. Flaka














