Flaka thumbon: Shteti kundër single-ve: Mickoski shpall martesën obligim fiskal
Në një kthesë epike të politikave demografike, kryeministri Hristijan Mickoski, në një debat serioz me titullin jo shumë seksi “Trendet demografike, sfidat dhe zgjidhjet e mundshme – Zhvillimi i dokumenteve strategjike për rezistencë demografike”, paralajmëroi masa inovative: tatim për beqarët!
Po, po – qeveria po shqyrton seriozisht mundësinë që të vendosë taksa shtesë për të gjithë ata që nuk janë të martuar, me idenë se kjo do të çojë në një bum martesor, pastaj edhe në një bum demografik.
“Të nderuar, nuk ka asgjë më të shenjtë se jeta,” – tha Mickoski me tonin e një episkopi të shtetit.
“Por gjithashtu, nuk ka asgjë më të guximshme sesa populli që zgjohet,” – vazhdoi ai, sikur të ishte fushatë për filxhanat e mëngjesit.
Pas kësaj deklarate, burime jozyrtare thanë se në dokumentin strategjik të Qeverisë po shqyrtohen edhe masa të tjera mbresëlënëse si:
- TVSH më e lartë për tinderistët e papërkushtuar,
- Subvencione për çiftet që i japin emër fëmijës sipas ndonjë ministri,
- Dhe ndoshta edhe bonuse për ata që prodhojnë “qytetarë të rinj” brenda territorit të RMV-së dhe jo jashtë, në mërgatë.
Nuk dihet ende si do funksionojë regjistrimi i “pamartuarve të fshehur” që thonë “jam single për qejf”, por raportet flasin për aplikacione digjitale që do ndihmojnë shtetin t’i zbulojë – ndoshta edhe përmes rrjeteve sociale.
Një gjë është e sigurt: Në Maqedoni, nëse nuk martohesh, të marton tatimori.
Koha është për të ardhmen, ose për një dasmë fiktive – për të shpëtuar nga tatimi!
“Lajmi që s’na duhej” është rubrikë satirike. Çdo ngjashmëri me realitetin është më shumë reale se satirike. Qëndrimet janë të autorit, jo të redaksisë – të paktën deri në emërimet e reja.”
(Çdo ngjashmëri me realitetin është më shumë reale se satirike. Qëndrimet janë të autorit, jo të redaksisë – të paktën deri në emërimet e reja). Flaka Media
















