Evropa ngrit alarmin për ndikimin serbo-rus – VLEN thotë të kundërtën. Kujt t’i besojmë?
Ndërsa Komiteti për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian paralajmëron për “projektin serb” dhe ndikimin malinj nga Serbia, Rusia dhe Kina, VLEN akuzohet për dy standarde dhe heshtje të qëllimshme ndaj ndikimeve të mëparshme proserbe në qeveri.
Flaka
Një raport i miratuar së fundmi nga Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian nxjerr në pah rrezikun e ndikimit malinj të huaj, me theks të veçantë mbi projektin “Bota Serbe”, që shihet si përpjekje për zgjerimin e ndikimit serbo-rus në rajon dhe për minimin e sovranitetit të shteteve si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, dhe Kosova.
Sipas raportit, Serbia dhe Hungaria po promovojnë interesat e Moskës dhe Pekinit, ndërsa media të lidhura me qendrat ruse e serbe përhapin dezinformata kundër NATO-s dhe BE-së. Kina përmendet gjithashtu si kërcënim përmes kredive të fshehta që rrezikojnë varësinë ekonomike të vendeve të Ballkanit.
Dokumenti kërkon qartë që Maqedonia e Veriut të hapë arkivat e UDBA-s dhe KOS-it, për të identifikuar rrënjët e ndikimeve të huaja, kërkesë që lidhet edhe me obligimet nga Protokolli me Bullgarinë.
VLEN: Ndryshim i kursit apo strategji fasadë?
Megjithatë, VLEN pretendon se ka ndryshuar kursin e politikës së jashtme nga një vijë e trashëguar proserbe në një orientim të qartë euroatlantik. Ata theksojnë praninë në samite ndërkombëtare dhe takime me zyrtarë të BE-së e SHBA-së si dëshmi të kthesës.
Por kritikat nuk mungojnë. Ish-ministri i Jashtëm Bujar Osmani, të cilin VLEN e akuzon si “zbatues i projektit Open Balkan” dhe bashkëpunëtor të Beogradit, nuk u kundërshtua fuqimisht në kohën kur VLEN ishte pjesë e qeverisë me Alternativën dhe Lëvizjen BESA.
Madje, në vend që të ngrinin zërin për lidhjet e tij me qendrat serbe të ndikimit, përfaqësues të VLEN-it mbetën të heshtur, për shkak të lidhjeve të tyre të ngushta me figura si Artan Grubi, i cili sot është shpallur non grata nga SHBA për lidhje me rrjetet e nëntokës serbe dhe industrinë e kazinove.















