VLEN: BDI s’ka të drejtë të flasë për përfaqësim!
Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit nga BDI, duke i cilësuar si “shpifje të ulëta dhe të paturpshme” për gjoja rënie të përfaqësimit të shqiptarëve në institucione.
“Për çdo ditë, BDI përhap shpifje të ulëta dhe të paturpshme kundër qeverisjes së VLEN-it, duke tentuar të mashtrojë opinionin publik me pretendime boshe për rënie të përfaqësimit të shqiptarëve. E vërteta është ndryshe dhe faktet flasin qartë,” thuhet në reagimin zyrtar të VLEN.
Koalicioni thekson se vetë BDI, gjatë 20 viteve të pushtetit të saj, ka dështuar të sigurojë përfaqësim minimal të shqiptarëve në shumë institucione shtetërore:
- 0 shqiptarë në Njësinë Speciale “Tigrat”
- 0 shqiptarë në Njësinë Speciale “Ujqit”
- 0 shqiptarë në Njësinë e Ndërhyrjes së Shpejtë
- 0 shqiptarë në Drejtorinë e Zonave të Lira Ekonomike
- 0 shqiptarë në Akademinë e Shkencave
- 0 shqiptarë në Agjencinë e Filmit
“BDI nuk ka as moral dhe as të drejtë të flasë për përfaqësim. Është partia që e ka tradhtuar Marrëveshjen e Ohrit dhe gjakun e dëshmorëve, të cilët luftuan për përfaqësim dhe barazi. Për BDI-në, shqiptarët në këto institucione kanë qenë të barabartë me zero,” deklaron VLEN.
Sipas tyre, qeverisja e re ka sjellë një qasje të re dhe të përgjegjshme ndaj përfaqësimit, përfshirë edhe një iniciativë ligjore që për herë të parë do të adresojë zyrtarisht këtë çështje.
“Vetëm për një vit qeverisje, po sjellim Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili jo vetëm që synon rritjen e numrit të përfaqësuesve shqiptarë, por garanton edhe cilësi dhe ndikim real të tyre në vendimmarrje,” theksohet në kumtesë.
VLEN përfundon me një mesazh të qartë për opinionin publik:
“VLEN sepse shqiptarët nuk janë numra për t’u manipuluar, as zero për t’u injoruar. Boll më rrena! Po ju del ngjyra!” Flaka


















