Ambasadori Meidani vizitoi Manastirin Shën Biguri – Urë miqësie midis dy popujve
Manastiri i Shenjtë i Bigurit ka pritur në vizitë Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Shkup, Shkëlqesinë e Tij z. Denion Meidani, përcjell Flaka. Vizita u zhvillua në një atmosferë miqësore e të ngrohtë, ku ambasadori Meidani u takua me jerondin e vëllazërisë monastike, Ipeshkvin e Antanisë, z. Partenij. Të dy bashkëbiseduesit shprehën vlerësim për marrëdhëniet e deritanishme të mira mes Manastirit dhe komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, si dhe me vetë Republikën e Shqipërisë.
“Biseduam për mundësitë konkrete të thellimit të këtyre lidhjeve në të ardhmen”, thuhet në një njoftim të publikuar nga Manastiri.
Nga ana e tij, Ipeshkvi Partenij theksoi rolin që ka Orthodoksia në forcimin e lidhjeve shpirtërore dhe kulturore midis dy popujve fqinj.
“U shpreh shpresa e përbashkët se drita e vlerave shpirtërore dhe morale, të cilat i kultivon tradita monastike, do të vazhdojë të jetë një urë bashkëpunimi dhe fqinjësie të mirë,” thuhet më tej në njoftim.
Manastiri i Bigurit njihet për angazhimin e tij në dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor në rajon, duke ruajtur një qasje të hapur ndaj komuniteteve të ndryshme etnike dhe fetare në Maqedoninë e Veriut. Flaka














