Syzet inteligjente: Meta synon dominimin në teknologji
Kompania amerikane e teknologjisë Meta ka blerë një aksion minoritar prej rreth 3% në gjigantin botëror të prodhimit të syzeve EssilorLuxottica, për një vlerë prej 3.5 miliardë dollarësh, sipas raportimeve nga Bloomberg. Kjo lëvizje përforcon partneritetin afatgjatë mes dy kompanive, të cilat kanë bashkëpunuar që nga viti 2019 për zhvillimin e syzeve inteligjente Ray-Ban dhe Oakley.
Meta ka shitur syze Ray-Ban me kamera të integruara, asistent AI dhe funksione të avancuara si njohja e objekteve dhe shfaqja e të dhënave në kohë reale. Pas njoftimit të investimit, aksionet e EssilorLuxottica u rritën me 7.1%, duke shënuar rritjen më të madhe ditore në tre muajt e fundit.
Tregu i syzeve inteligjente pritet të përjetojë një bum të madh, me parashikime që tregojnë rritje nga 1.93 miliardë dollarë në 2024 në 8.26 miliardë dollarë deri në 2030, sipas GrandView Research. Konkurrentët si Google dhe Apple kanë nisur gjithashtu zhvillimin e produkteve të ngjashme, duke e bërë këtë sektor një fushë të nxehtë për inovacionin teknologjik.
Meta po shqyrton mundësinë për të rritur aksionet e saj deri në 5%, duke e pozicionuar veten si një partner strategjik, pa synuar kontrollin e plotë të kompanisë. Kjo investim është pjesë e strategjisë së Meta për të zhvilluar pajisje të veshshme me AI, duke e çuar teknologjinë përtej platformave sociale dhe drejt hardware-it të avancuar.
Flaka
















