VLEN: BDI 20 vite në pushtet e harroi Kulturën shqiptare
Koalicioni VLEN ka reaguar ndaj qëndrimeve të fundit të BDI-së lidhur me përfaqësimin e kulturës shqiptare në edicionin e sivjetshëm të “Verës së Ohrit”. Në një deklaratë publike, VLEN akuzon BDI-në për hipokrizi politike dhe përpjekje për të shmangur përgjegjësinë pas dy dekadave të qeverisjes, gjatë të cilave, sipas tyre, kultura shqiptare është përjashtuar sistematikisht nga institucionet shtetërore.
“Në vend që të kërkojë falje për mungesën e përfaqësimit të kulturës shqiptare në institucionet shtetërore përgjatë dy dekadave qeverisje, BDI po përpiqet që sot të hedhë fajin diku tjetër, duke keqpërdorur politikisht edicionin e sivjetshëm të ‘Verës së Ohrit’,” thuhet në reagimin e VLEN.
Sipas këtij koalicioni, qytetarët nuk e kanë harruar se për 20 vite me radhë festivalet, teatrot dhe institucionet kulturore janë drejtuar nga kuadro të emëruar nga BDI, ndërkohë që artistët shqiptarë mbetën të papërfaqësuar dhe të përjashtuar.
“Ku ishte BDI për 20 vite kur: Filharmonia mbeti me 4% përfaqësim shqiptar në nivelet vendimmarrëse? Opera dhe Baleti me 1%? Agjencia e Filmit u kthye në klub të mbyllur ku artistët shqiptarë nuk patën qasje?” vijon deklarata.
VLEN i kujton opinionit publik se në vend të përgjigjeve për këto dështime, eksponentët e BDI-së sot flasin për përjashtim, por nuk japin asnjë sqarim për skandalet korruptive që, sipas tyre, rëndojnë mbi ta.
“Sot, kur VLEN është pjesë e pushtetit, nuk ikim nga përgjegjësia për të ndrequr këtë gjendje. Po e bëjmë me hapa konkretë, me reforma të thella dhe me qasje të barabartë për të gjitha komunitetet, jo me folklor partiak,” thekson VLEN.
Koalicioni njofton gjithashtu se është në proces përgatitjeje të një strategjie të re për përfaqësimin kulturor të shqiptarëve dhe hapjen e dyerve për artistët shqiptarë në çdo institucion kulturor kombëtar.
“Kultura shqiptare nuk do të jetë më dekor ceremonial, por shtyllë e barabartë e identitetit shtetëror. Të gjithë e dinë: BDI përjashtoi, VLEN përfaqëson. BDI heshti, VLEN flet me vepra,” përmbyllet reagimi. Flaka

















