Ribalanci i plotësuar i buxhetit u miratua – 5 milionë denarë për Universitetin “Goce Dellçev”
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e saj të fundit, miratoi Ribalancin e plotësuar të Buxhetit për vitin 2025, me propozim të Ministrisë së Financave, duke përfshirë edhe amendamentet e miratuara gjatë diskutimeve të Komisionit për Financim dhe Buxhet në Kuvend, transmeton Flaka. Sipas Qeverisë, ribalanci reflekton rishpërndarjen e mjeteve ndërmjet shfrytëzuesve buxhetorë, në përputhje me realizimet e deritanishme dhe pritshmëritë për pjesën e mbetur të vitit.
“Ky ribalanc garanton pagesa të rregullta, ruajtje të stabilitetit makroekonomik dhe rritje të komponentës zhvillimore. Objektivi kryesor është mbajtja e deficitit buxhetor në nivelin e planifikuar”, theksoi Ministria e Financave në njoftimin zyrtar.
Rritje për paga, pensione dhe projekte në arsim, transport dhe siguri
Ndryshimet përfshijnë:
- 6 milionë denarë për dokumentacionin projektues të rrugicës në Komunën e Kumanovës (Ministria e Transportit).
- 50 milionë denarë shtesë për ndihmat sociale (Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë).
- 5 milionë denarë për Universitetin “Goce Dellçev” (Ministria e Arsimit dhe Shkencës).
- Rritje prej 10% të pagave për të punësuarit në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
- Rritje të mjeteve për pensionet dhe shpenzimet e tranzicionit.
- 300 milionë denarë për investime kapitale.
Të ardhurat dhe shpenzimet rriten me rreth 3.5 miliardë denarë
Të ardhurat e përgjithshme janë projektuar në 362.4 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në 403.7 miliardë denarë, të dyja me rritje rreth 1% krahasuar me buxhetin fillestar.
“Shpenzimet kapitale janë planifikuar në nivelin 47.4 miliardë denarë, me fokus në realizimin e projekteve në sektorë si mbrojtja, infrastruktura dhe arsimi”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.
Po ashtu, është garantuar vazhdimi i bashkëpunimit me komunat, për të cilat janë siguruar 584 milionë denarë me rishpërndarjen e mëparshme të mjeteve.
Parametrat makroekonomikë mbeten të pandryshuar
Ribalanci nuk prek projeksionin e rritjes ekonomike dhe indikatorët kryesorë:
- Rritja ekonomike: 3.7%
- Inflacioni: 2.8%
- Papunësia: 11.1%
- Deficiti buxhetor: 41.3 miliardë denarë (4% e PBB-së)
“Ky ribalanc siguron që prioritetet tona – stabiliteti, përfshirja sociale dhe zhvillimi – të realizohen pa devijuar nga parametrat fiskalë të planifikuar”, theksoi Ministria e Financave.
Ribalanci i plotësuar i Buxhetit për vitin 2025 do të dorëzohet për miratim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në ditët në vijim.















