Osmani: Përfaqësimi i shqiptarëve ka rënë – deklarata e VLEN është gënjeshtra më e madhe e vitit
Ish-ministri i Jashtëm dhe funksionari i BDI-së, Bujar Osmani, ka hedhur poshtë si të pavërtetë deklaratat propagandistike se gjatë këtij viti shqiptarët janë punësuar më shumë se kurrë më parë në institucionet shtetërore.
“Deklarata propaganduese se ‘këtë vit janë punësuar më shumë shqiptarë se në vitet më të mira të qeverisjes së BDI-së në 20 vitet e fundit’ është e pavërteta më e madhe e vitit,” ka thënë Osmani.
Ai është shprehur se të dhënat zyrtare tregojnë të kundërtën – një rënie të ndjeshme të përfaqësimit shqiptar në administratën shtetërore.
“Këtë vit kemi rënien më të madhe të përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore në dekadat e fundit – një ulje prej gati 2%, që përkthehet në 4.000 – 5.000 vende më pak krahasuar me komunitetin e parë,” theksoi Osmani.
Për krahasim, ai ka rikujtuar se gjatë qeverisjes së BDI-së, përfaqësimi është rritur në mënyrë të qëndrueshme dhe sistematike.
“Gjatë qeverisjes sonë, përfaqësimi rritej çdo vit me 1.500 – 2.000 shqiptarë të punësuar, jo vetëm në një institucion, por në të gjithë administratën publike.”
Sipas Osmanit, situata aktuale për shqiptarët nuk përfaqëson përfshirje, por përjashtim.
“Sot kemi përjashtim, jo përfshirje. Kemi propagandë, jo përparim. Dhe shqiptarët e ndiejnë këtë çdo ditë në raport me shtetin.”
Ai e mbyll deklaratën me një mesazh të qartë: “Statistikat nuk gënjejnë.” Flaka
















