Bujar Osmani: Çairi duhet të jetë shtëpi për të gjithë
Kandidiati për kryetar Komune të Çairit, Bujar Osmani, zhvilloi sot disa takime me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që veprojnë në këtë komunë. Në fokus të takimeve ishte përmirësimi i mbështetjes për personat me nevoja të veçanta, një çështje që Osmani e cilësoi si thelbësore për një shoqëri të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.
“Në Çair, pata disa takime të frytshme me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, mes të cilëve edhe një bashkëbisedim shumë të mirë me Ertan Shakirin nga SOS Vita. Diskutuam për ndërtimin e një sistemi efikas dhe të qëndrueshëm mbështetjeje për personat me nevoja të veçanta në komunën tonë,” shkroi Osmani në një postim në rrjetet sociale.
Ai shtoi se Çairi duhet të jetë shtëpi për të gjithë, duke theksuar se përkushtimi institucional dhe partneriteti me sektorin civil janë kyç për të ndërtuar një komunitet më të drejtë dhe më të ndjeshëm ndaj nevojave të qytetarëve.
Takimet janë pjesë e angazhimeve të vazhdueshme të Osmanit për të qëndruar afër komunitetit dhe për të mbështetur nisma që forcojnë kohezionin social dhe përfshirjen e grupeve të margjinalizuara. Flaka















