Arsenali investon fuqishëm – Arteta ndërton skuadrën e ëndrrave
Pas një sezoni ku rivalizoi fort me Liverpool-in, por humbi ritmin në fazën vendimtare, Mikel Arteta ka marrë personalisht drejtimin e strategjisë së merkatos te Arsenali. Londinezët kanë investuar shifra rekord për të përforcuar çdo repart, me synimin e qartë për të rikthyer titullin e Premier League pas më shumë se dy dekadash.
Goditja më e madhe është afrimi i Viktor Gyökeres nga Sporting CP për 65,8 milionë euro, një “bomber” tipik që pritet të jetë pika e referimit në sulm. Nga Real Sociedad ka mbërritur për 70 milionë euro mesfushori Martín Zubimendi, i cili do të formojë një treshe të fuqishme me Declan Rice dhe Martin Ødegaard.
Në krahët e sulmit, është blerë Noni Madueke nga Chelsea për 56 milionë euro, ndërsa mesfusha është pasuruar edhe me Christian Nørgaard nga Brentford për 11,6 milionë euro. Mbrojtja është forcuar me talentin 21-vjeçar Cristhian Mosquera nga Valencia për 15 milionë euro.
Goditja e fundit ka qenë transferimi i Eberechi Eze nga Crystal Palace për 60 milionë euro, një lëvizje që i ka dhënë Arsenalit një avantazh të ëmbël ndaj rivalit të qytetit, Tottenham.
Ndeshja e fundit kundër Manchester United ka treguar sinjalet e para të një skuadre më të ekuilibruar dhe më të kompletuar, duke rritur optimizmin se ky mund të jetë sezoni i rikthimit në majën e futbollit anglez.
Flaka
















