BDI: Skandal në Çair, pyetje serioze për Ngrohtoren dhe lidhjet me Izet Mexhitin

Flaka
Botuar nga Flaka 12 Tetor, 2025 16:12

BDI: Skandal në Çair, pyetje serioze për Ngrohtoren dhe lidhjet me Izet Mexhitin

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ngriti sot publikisht një çështje që, sipas partisë, “trondit opinionin e Çairit” dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet shtetërore. Bëhet fjalë për një skandal të mundshëm në lidhje me Ngrohtoren e Çairit, kompani me rëndësi jetike për mijëra familje, e cila pas privatizimit të fundit, sipas BDI-së, “rezulton e lidhur me qarqe politike dhe persona të afërt me Izet Mexhitin”.

“Sot ngrisim një çështje që trondit opinionin publik të Çairit dhe që kërkon përgjigje të menjëhershme nga institucionet shtetërore. Bëhet fjalë për një skandal të mundshëm me Ngrohtoren e Çairit – një kompani që ka rol jetik për mijëra familje, por që pas privatizimit të fundit po rezulton të jetë e lidhur me qarqe politike dhe figura të afërta me Izet Mexhitin,” – thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas të dhënave nga Regjistri Qendror, Perihan Tafilovska, e përshkruar si bashkëpunëtore shumëvjeçare në institucione ku ndikim ka pasur Izet Mexhiti, figuron si bashkëpronare e Ngrohtores së Çairit, e cila së fundmi është blerë nga një grup investitorësh privatë.

“E njëjta Tafilovska ka qenë për vite të tëra e angazhuar në prokurime publike në institucione si Universiteti ‘Nëna Terezë’ dhe MEPSO, ku janë ndarë kontrata milionëshe. Sot, ajo shfaqet si bashkëpronare e një kompanie që fiton çdo muaj nga faturat e qytetarëve,” – theksohet në komunikatën e BDI-së.

Partia ngriti disa pyetje që, sipas saj, kërkojnë përgjigje të menjëhershme:

  • Si mundet që një person me karrierë në prokurime publike të bëhet pronare e një kompanie që operon në interes publik?
  • Si ka qenë e mundur blerja e një kompanie me vlerë të lartë tregu me të ardhurat e një nëpunëseje shtetërore?
  • A është bërë procesi i shitblerjes në mënyrë transparente dhe me çmim real?
  • A përfaqëson kjo kompani kapital të Izet Mexhitit përmes bashkëpunëtores së tij më të afërt?
  • A kemi të bëjmë me konflikt të pastër interesi mes funksionit publik dhe përfitimit privat?

Burime nga sektori i energjetikës, cituar nga BDI, paralajmërojnë se pas privatizimit, Ngrohtorja e Çairit po kthehet në një biznes politik, ku qytetarët paguajnë, ndërsa përfituesit janë të lidhur me politikën.

“I bëjmë thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokurorisë Publike që menjëherë të nisin hetime për konflikt interesi, ndikim politik në procesin e privatizimit dhe pasurim të paligjshëm në kurriz të qytetarëve të Çairit,” – thuhet më tej në reagim.

BDI thekson se transparenca nuk është akuzë, por detyrim ndaj qytetarëve, duke kërkuar publikimin e të gjitha të dhënave për pronarët realë të Ngrohtores së Çairit dhe mënyrën e financimit të blerjes.

“Qytetarët e Çairit kanë të drejtë të dinë të vërtetën. Ngrohja që ata paguajnë çdo muaj nuk mund të kthehet në fitim për miqtë politikë të Izet Mexhitit. Prandaj kërkojmë hetim të plotë, publikim të pronarëve realë dhe përgjegjësi ligjore për çdo shkelje që do të vërtetohet,” – përfundon reagimi i BDI-së.

Flaka
Botuar nga Flaka 12 Tetor, 2025 16:12
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.