Iñigo Martínez: “Flick më shihte si pjesë kyçe e projektit, por lajmi i largimit tim e befasoi”
Mbrojtësi spanjoll Iñigo Martínez ka folur hapur për largimin e tij nga Barcelona verën e kaluar, duke treguar se si trajneri Hansi Flick reagoi ndaj vendimit të tij. Në një intervistë të fundit, Martínez pranoi se Flick kishte shumë respekt dhe dashuri për të, duke e parë si një element të rëndësishëm jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj.
“Flick më konsideronte një pjesë kyçe të planeve të tij. Kur një pjesë e atij puzzle u prish papritur, ishte normale që ai të ndjente dyshime dhe konfuzion,” tha mbrojtësi. Ai shtoi se lajmi e gjeti trajnerin të papërgatitur, pasi e mori vesh vetëm gjatë një udhëtimi me avion, në momentin kur Martínez më në fund vendosi t’ia tregonte.
Spanjolli pranoi se e kishte të vështirë t’i thoshte Flick-ut për vendimin e tij: “Shpesh i thosha vetes ‘do t’ia them nesër’, por nesër vinte dhe unë e shtyja përsëri. Në fund, vendosa t’ia them në avion, dhe normalisht ai u befasua.”
Pavarësisht largimit, Martínez theksoi se ende ndihet i lidhur me Barcelonën: “Shumë njerëz thonë se Barça nuk është në një pozicion të mirë, por ne jemi vetëm dy pikë prapa dhe kampionati është shumë i gjatë. Unë ende e them ‘ne’, sepse kam kaluar vite të mrekullueshme aty.”
Ky rrëfim i sinqertë i Martínez ka ngjallur reagime të shumta mes tifozëve, duke treguar edhe një herë marrëdhënien e veçantë që lojtari kishte me klubin katalanas dhe trajnerin Flick.
Flaka
















