“Messi nuk foli kurrë kështu” – Zamorano kritikon Yamal
Gjatë dy viteve të fundit, Lamine Yamal është shndërruar në një nga figurat më të rëndësishme të Barcelonës, por së fundmi vëmendja ndaj tij nuk lidhet vetëm me paraqitjet në fushë. Mediat spanjolle raportojnë se klubi katalanas është gjithnjë e më i shqetësuar për aktivitetet e tij jashtë fushe dhe mënyrën e jetesës që ka zgjedhur 18-vjeçari.
Kritikat më të forta kanë ardhur nga ish-sulmuesi i Real Madridit, Iván Zamorano, i cili në një intervistë për Mundo Deportivo deklaroi se Yamal “nuk ka klas” dhe nuk do të ishte kurrë një lojtar i përshtatshëm për Real Madridin. “Ai është një talent i madh, por nuk ka esencën e Madridit. Do të nënshkruaja Pedrin, sepse është i përulur dhe flet sa duhet. Real Madrid është ekip klase dhe kulture, dhe lojtarët duhet ta përfaqësojnë këtë,” tha Zamorano.
Këto komente erdhën pas deklaratave të supozuara të Yamal, i cili kishte thënë se Real Madridi “vjedh fitore” nga skuadrat e tjera. Zamorano e krahasoi situatën me Lionel Messin, duke theksuar se “asnjëherë nuk e dëgjova Messin të thoshte se ne vjedhim, dhe ai ishte më i miri në botë”.
Barcelona, sipas mediave, po përpiqet ta udhëzojë Yamal drejt një rruge më të qëndrueshme, duke i kujtuar se trashëgimia e një lojtari ndërtohet mbi atë që tregon në fushë, jo jashtë saj. Megjithatë, nuk duhet harruar se ai është ende adoleshent, me një bazë të madhe fansash dhe presion të jashtëzakonshëm mbi supe.
Flaka


















