15 prokurorë do ta përfaqësojnë aktakuzën për rastin “Puls”
Gjykimi për zjarrin në disko-klubin “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, do të nisë më 19 nëntor në Shkup.
Zëvendëskryeprokurori shtetëror, Ljupço Kocevski, tha sot se Prokuroria Publike është plotësisht e përgatitur për procesin dhe se janë caktuar mjaftueshëm prokurorë për përfaqësimin e aktakuzës.
“Së bashku me ekipin që ka punuar deri tani në këtë rast, do të angazhojmë edhe disa prokurorë shtesë, për të mos penguar punën në lëndët e tjera. Kjo do të thotë se ndoshta jo gjithmonë të gjithë prokurorët do të jenë të pranishëm në seancë, por gjithmonë do të ketë përfaqësues të mjaftueshëm të akuzës, në mënyrë që procesi të mos vonohet apo shtyhet për shkak të Prokurorisë”, deklaroi Kocevski.
Ai shtoi se në total, aktakuza për rastin “Puls” mund të përfaqësohet nga rreth 15 prokurorë.
Në lidhje me hetimin paraprak për punonjësit e Drejtorisë për të Ardhura Publike (DAP), Kocevski informoi se procedura po zhvillohet nga Prokuroria Themelore Publike në Koçan, e cila tashmë ka dhënë udhëzime dhe urdhra për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme procedurale.
Gjykimi për tragjedinë në disko-klubin “Puls” në Koçan, ku në zjarr humbën jetën 63 persona, është caktuar të fillojë më 19 nëntor në Shkup


















