Aksion kontrollues në Gostivar – ndalohen dy persona, njëri nga Shqipëria
SPB Tetovë njofton se gjatë natës së 12-të dhe 13 nëntorit 2025, në periudhën nga ora 23:20 deri në 00:30, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Gostivar, në bashkëpunim me Sektorin për Krim Ndërkufitar, Migracion, Të Huaj dhe Ri-pranim, Drejtorinë e të Ardhurave Publike, Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe Inspektoratin e Punës, kanë realizuar një aksion kontrollues në një objekt hotelierik, i cili gjendet në një qendër tregtare në rrugën “Ilinden” në Gostivar.
Nga kontrolli, siç njofton policia, është ndaluar shtetasi i Shqipërisë K.D. (43), pasi ka abuzuar me qëndrimin turistik, përkatësisht ka qëndruar në kundërshtim me qëllimin e lejes së qëndrimit.
Gjithashtu, është ndaluar edhe XH.K. (62) nga Dobërdolli, i cili, sipas njoftimit të SPB Tetovë, është sjellë në mënyrë agresive ndaj zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.
“Të dy personat janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të ndërmerren parashtresat përkatëse”, theksojnë nga SPB Tetovë.


















