Cloudflare shkakton ndërprerje masive në internet: kompania fajëson një “gabim latent”
Gjatë ditës së sotme, shumë platforma online, përfshirë edhe media në Kosovë, kanë pasur probleme serioze në funksionim. Shkaku i ndërprerjes masive ishte një problem teknik në gjigantin e infrastrukturës së internetit Cloudflare, i cili menaxhon një pjesë të madhe të trafikut global.
Sipas reagimit zyrtar, problemi u identifikua që në mëngjes dhe u zgjidh brenda pak orësh. Drejtori kryesor i teknologjisë së Cloudflare, Dane Knecht, sqaroi se nuk ka pasur sulm kibernetik, por një bug latent në një shërbim që mbështet mekanizmat e mbrojtjes nga bot-et. Ky gabim u aktivizua pas një ndryshimi rutinë konfigurimi dhe shkaktoi kolaps në rrjet.
“E di që shkaktoi dhimbje të vërtetë sot,” tha Knecht, duke premtuar një analizë të plotë dhe masa për të shmangur përsëritjen e situatës.
Ndërprerja preku platforma të mëdha si ChatGPT, Claude, Spotify, X dhe shumë faqe të tjera. Cloudflare, që përdoret nga rreth 20% e faqeve të internetit, është një nga shtyllat kryesore të funksionimit të uebit global. Ky incident është një kujtesë e fortë se interneti varet nga një numër i vogël kompanish, dhe çdo problem i tyre mund të ketë pasoja të gjera.
Flaka














