Igli Tare: Synimi im me Milanin është titulli i kampionit në Itali
Më 26 maj, Igli Tare u emërua drejtor sportiv i Milanit, duke sjellë menjëherë ndryshime të mëdha në skuadër. Pas ardhjes së tij, kuqezinjtë kanë nënshkruar me 19 lojtarë dhe kanë larguar 23, duke nisur një projekt të ri ambicioz.
Në një intervistë, Tare ka folur hapur për synimet e tij me klubin: “Do të gënjeja nëse do të thosha se objektivi nuk është që të fitojmë titullin e kampionit. Është një projekt, jemi në rrugën e duhur dhe kam dëshirën për të fituar disa trofe të rëndësishëm me këtë klub të lavdishëm.”
52-vjeçari ka kujtuar edhe periudhën e artë te Lazio, ku ishte drejtor sportiv nga viti 2008 deri në 2023, pasi më parë kishte luajtur për tre vite si futbollist. Ai tregoi se kalimi nga lojtar në drejtues ishte një moment i veçantë: “Shkova në zyrën e Lazios për të nënshkruar një kontratë si lojtar dhe dola me një kontratë si drejtor sportiv. Fjalimi më i vështirë i jetës sime ishte të prezantohesha para shokëve të ekipit si drejtori i ri i sportit.”
Tare, ish-futbollist i Kombëtares së Shqipërisë, shihet si një figurë me përvojë dhe vizion, që mund të rikthejë Milanin në majat e futbollit italian dhe europian.
Flaka














