Ali Ahmeti me urim për 28 Nëntorin: “Një komb, një gjuhë, një flamur, një qëndrim – të bashkuar në Europë”
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka uruar Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë me një mesazh të fortë politik dhe kombëtar, duke theksuar unitetin dhe përgjegjësinë e shqiptarëve kudo që jetojnë.
Ahmeti tha se kombin duhet ta nderojmë me vepra dhe përkushtim çdo ditë, në çdo që bëjmë dhe çdo fjalë që themi. Ai theksoi se shqiptarët kudo e kanë obligim ta mbështesin Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, ndërsa shtoi se shtetësia e Kosovës duhet të konsolidohet në partneritet të ngushtë me ShBA-në dhe BE-në.
Në mesazhin e tij, Ahmeti përmendi edhe detyrimin e përbashkët për barazi të plotë në Maqedoninë e Veriut dhe për integrimin europian të vendit, si dhe kujdesin ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Mal të Zi dhe diasporë.
“Shqiptarë të mi të dashur, Shqipërisë i qofshim falë, gëzuar Ditën e Flamurit dhe të shpalljes së pavarësisë, e përjetshme qoftë Shqipëria. Rroftë kombi ynë, rroftë Shqipëria, lavdi dëshmorëve të kombit!”, përfundon urimi i Ahmetit. Gazeta Flaka















