DAP kërkon llogaritë fiskale – mbi 2.500 gjoba për mungesat e konstatuara nëpër firma
Drejtoria e të Ardhurave Publike, ka intensifikuar kontrollet në terren. Deri në fund të muajit të kaluar nga kontrollet e kryera në 4.000 biznese që punojnë me para të gatshme, janë shqiptuar mbi 2.500 gjoba, ndërsa 113 biznese janë mbyllur për shkak të mosdhënies së kuponëve fiskalë dhe qarkullimit të paregjistruar. Sipas të dhënave, në çdo kontroll të katërt është zbuluar parregullsi, gjë që sipas Drejtorisë së të Ardhurave Publike, tregon se mosregjistrimi i qarkullimit është dukuri shumë përhapur. Kjo nënkupton përdorimin e parave të paregjistruara për pagesa ndërmjet kompanive dhe dhënie pagash në zarf, praktika që sipas DAP, dëmtojnë konkurrencën e ndershme dhe buxhetin e shtetit.
“Gjatë kontrolleve u konstatuan situata si: pajisje fiskale që nuk kanë ngjitëse nga serviseri i autorizuar, si dhe raste ku u zbulua se adresa në të cilën është regjistruar pajisja fiskale nuk përputhet me lokacionin real të veprimtarisë. U konstatua gjithashtu mos depozitimi i qarkullimit ditor në bankë dhe mos mbajtja e evidencës së raporteve financiare ditore. Aktivitetet vazhdojnë dhe do të përfshihen të gjitha subjektet që punojnë me qarkullim të parasë së gatshme”, thonë nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.
Sipas analizave nga sistemi GPRS, i Drejtorisë së të Ardhurave Publike, kontrollet në terren kanë identifikuar biznese që raportojnë qarkullim të ulët ose identik çdo ditë, ndërsa qarkullim minimal në dokumente. “Te një numër i madh i tatimpaguesve të gjobitur për mosdhënie të kuponëve fiskalë dhe qarkullim të paregjistruar, DAP ka dërguar mesazhe të personalizuara duke kërkuar të paraqesin korrigjime të deklaratave tatimore, të raportojnë qarkullimin dhe të paguajnë tatimin.
DAP paralajmëron se, nëse nuk veprojnë vullnetarisht, do të pasojnë kontrolle shtesë me aplikimin e metodave indirekte për zbulimin e qarkullimit të fshehur dhe tatimit të papaguar”, theksuan nga Drejtoria e të Ardhurave Publike. Nga Drejtoria e të Ardhurave Publike gjithashtu thonë se në prag të festave të fundvitit, kanë rritur ndjeshëm prezencën në terren, ndërsa sipas tyre në fokus do të jenë restorantet, kafenetë, diskotekat, fast-food-et dhe të gjitha bizneset që punojnë me para të gatshme, njofton Alsat.mk, transmeton Gazeta Flaka














