Koalicioni VLEN konfirmon se Zeqirija Ibrahimi ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Alternativës
Koalicioni VLEN njoftoi se Zeqirija Ibrahimi ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë Alternativa, ndërsa në vend të tij është zgjedhur deputeti Bekim Sali si ushtrues detyre.
“Sonte, në mbledhjen e Kuvendit Qendror të Alternativës, kryetari Zeqirija Ibrahimi e ka ofruar dorëheqjen nga pozita e kryetarit të partisë dhe ky organ i partisë e ka pranuar këtë dorëheqje”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Ibrahimi ka sqaruar para kuvendarëve, por edhe publikisht në profilin e tij në Facebook, arsyet që e kanë shtyrë drejt dorëheqjes.
“Sipas tij, kjo dorëheqje vjen vetëm për shkak të bindjeve të tij politike, duke konsideruar se sot VLEN-it i duhet një projekt i ri politik, një vizion i ri, një kauzë e re politike, por edhe një lidership i ri”, thuhet në njoftim.
Ibrahimi është shprehur se në këtë fazë “nuk mund të ofrojë më shumë në këtë drejtim nga ky pozicion” dhe për këtë arsye “dëshiron të jetë shtegu për energjinë e re që e kërkon ky proces”.
VLEN thekson se dorëheqja e tij është pjesë e procesit të unifikimit brenda koalicionit, një proces që pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
“Në funksion të unifikimit të VLEN-it, Zeqirija Ibrahimi tashmë ka ofruar një propozim dhe liderët tashmë po e shqyrtojnë si opsion”, vijon reagimi.
Në vend të tij, për ushtrues detyre të kryetarit të Alternativës, është zgjedhur deputeti Bekim Sali, i cili gjithashtu është nominuar për pozitën e zëvendëskryeministrit të parë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.














