Lituania shpall “situatë emergjente” për shkak të balonave nga Bjellorusia
Lituania ka shpallur “situatë emergjente” më 9 dhjetor për shkak të një fluksi balonash të lëshuara nga kontrabandistët në Bjellorusinë fqinje, duke e përshkruar këtë si “sulm hibrid” të orkestruar nga Minsku.
Masa e shpallur është një nivel më i ulët sesa shpallja e “gjendjes së jashtëzakonshme” që mund të shpallet vetëm nga Parlamenti kur rrezikohet “rendi kushtetues”.
Lituania më herët kishte shpallur situatë emergjente për shkak të një fluksi migrantësh më 2021, duke e cilësuar edhe atë si sulm hibrid.
“Të gjitha institucionet po i bashkojnë forcat për të adresuar kërcënimin që paraqesin balonat e kontrabandës”, tha kryeministrja lituaneze, Inga Ruginiene, përmes një deklarate.
Ministri i Brendshëm, Vladislav Kondratovic, i cili do të mbikëqyrë përpjekjet për luftimin e balonave, tha se shpallja e situatës emergjente e lejon ushtrinë të marrë pjesë në operacionet kufitare.
Ai u tha gazetarëve se shpallja ishte e domosdoshme për të “bashkuar dhe koordinuar shërbimet”, duke theksuar se ky vendim nuk do të ketë asnjë ndikim te publiku.
Balonat, të cilat bartin cigare dhe mund të fluturojnë deri në 10 kilometra lartësi, po kalojnë në territorin e Lituanisë tash e disa muaj.
Si rezultat, dy aeroportet më të mëdha të Lituanisë, në Vilnius dhe Kaunas, janë detyruar në disa raste të ndalojnë operacionet, gjë që zyrtarët pretendojnë se është një sulm i qëllimshëm ndaj aviacionit civil.
Lituania, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, që një kohë të gjatë e akuzon Bjellorusinë, aleaten e ngushtë të Rusisë, për organizimin e “luftës hibride”, që përfshin taktika konvencionale dhe jokonvencionale.
Aktiviteti i balonave, i cili u shtua në tetor, e detyroi shtetin baltik që në fund të muajit të mbyllë përkohësisht dy pikëkalimet kufitare me Bjellorusinë.
A janë balonat nga Bjellorusia kontrabandë, sulm hibrid, apo të dyja?
Kryeministrja e Lituanisë ka thënë se bëhet fjalë për “një sulm hibrid” kur ka folur për qindra balona meteorologjike që fluturuan përgjatë kufirit nga Bjellorusia, duke shkaktuar kaos në aeroporte. Por, incidentet tregojnë gjithashtu për një rrjet të gjerë dhe të vjetër kontrabande, që thuhet se ka lidhje të nivelit të lartë në Minsk.
Duke fluturuar në një lartësi prej rreth 13 kilometrash, balonat u shtuan aq shumë në fund të tetorit saqë detyruan mbylljen e disa aeroporteve, duke ndikuar në rreth 140 fluturime dhe 20.000 udhëtarë.
Më 29 tetor, Lituania – anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian – mbylli kufirin me Bjellorusinë për një muaj, dhe kryeministrja Inga Ruginiene tha se kjo masë mund të zgjatet “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Shfaqja e tyre në qiellin mbi dy vendet daton që nga koha kur autoritetet lituane vendosën ta luftonin kontrabandën e cigareve me kamionë përgjatë kufirit.
Në vitin 2023, doganat lituane sekuestruan 11.9 milionë pako cigaresh. Po atë vit, ata nisën instalimin e sistemeve të reja të kontrollit me rreze X në pikat kufitare. Ishte gjithashtu viti kur shërbimi kufitar lituan raportoi për tri balona që mbërritën me cigare të kontrabanduara.
Vitin e kaluar, shifrat ndryshuan ndjeshëm: vetëm 2.3 milionë pako cigare u sekuestruan nga doganat, pasi kontrabandistët filluan të përdorin metoda të tjera si dronë, varka të vogla dhe 226 balona të raportuara.
Këtë vit, numri i balonave është rritur më tej: 546 balona u raportuan nga janari në tetor. Rojet kufitare besojnë se kjo metodë përbën tani 80 për qind të të gjithë cigareve të kontrabanduara përtej kufirit.
Syarhey Besarab, një kimist dhe popullarizues shkencor bjellorus, i tha Shërbimit bjellorus të Radios Evropa e Lirë (REL) se një balonë e aftë të mbajë një ngarkesë prej 40-50 kilogramësh kushton rreth 500 euro.
Kjo do të përkthehej në rreth 1.500 pako cigare me një vlerë në treg prej rreth 3.450 eurosh. Për më tepër, ka shumë pak mundësi që balonat të devijojnë nga rruga e fluturimit të tyre.
“Era që fryn në sipërfaqe dhe ajo në lartësi të madhe janë dy gjëra shumë të ndryshme. Lart, era është e qëndrueshme, prandaj balonat ngrihen në atë lartësi”, shpjegoi Besarab.
Këto janë balona të mëdha me helium që fluturojnë në numër të madh. Për shembull, natën midis 3 dhe 4 tetorit, Lituania raportoi mbërritjen e 25 balonave nga ana bjelloruse.
“Është e pamundur të lëshohen kaq shumë balona në masë të madhe në Bjellorusi pa u vënë re nga shërbimet speciale [të sigurisë], është fantazi”, shtoi Besarab.
Komentet e tij pasqyrojnë ato të presidentit lituan, Gitanas Nauseda, i cili muajin e kaluar tha se “është mjaft e qartë se strukturat speciale, KGB-ja bjelloruse, janë të përfshira në shitjen e cigareve nga kompani që prodhojnë produkte zyrtare, si edhe ato të destinuara për tregun e paligjshëm”.
Bjellorusia është identifikuar kamotshëm si burim i kontrabandës ndërkombëtare të cigareve.
Kush i pi cigaret bjelloruse?
Në vitin 2016, studiues nga Universiteti i Milanos në Itali publikuan një studim të titulluar “Qendra e Tregtisë së Paligjshme të Duhanit Bjellorus”. Studimi zbuloi se, përveç cigareve të falsifikuara, ekzistonte edhe një treg i lulëzuar për “të bardhat e paligjshme”, “cigare të prodhuara ligjërisht në një vend, por të destinuara për t’u kontrabanduar në vende ku nuk janë në shitje ligjërisht”.
Studimi dha një përshkrim të tregjeve kryesore ku shiteshin markat kontrabandë bjelloruse: Gjermani (30 për qind), Poloni (22.6 për qind), Britani (17.8 për qind) dhe Itali (9.7 për qind).
Gati 10 vjet më vonë, tregtia vazhdon. Burime që folën për Shërbimin bjellorus të REL-it thanë se marka bjelloruse cigaresh shiten jashtëligjshëm në Lituani, Gjermani dhe Francë.
Grupet në aplikacionin Telegram përdoren për blerje dhe shitje. Në një grup, një individ kërkonte të blinte cigare të markës bjelloruse NZ me shumicë në Helsinki, Finlandë. Grupe të tjera ishin përqendruar në Spanjë, Portugali, Gjermani dhe vende të tjera të BE-së.
Kalimi në përdorimin e balonave dhe pengesat që ka shkaktuar, e kanë bërë kontrabandën problem më të dukshëm politik. Çështja është bërë edhe më urgjente pas shkeljes së hapësirës ajrore lituane nga dy avionë ushtarakë rusë më 23 tetor, si dhe pas shfaqjes së dronëve të panjohur pranë aeroporteve.
Bjellorusia mohon çdo përfshirje në dërgimin e balonave dhe ka dënuar vendimin për mbylljen e kufirit.
Darius Antanaitis, oficer rezervist në ushtrinë lituane dhe komentator mediatik, i tha REL-it se kjo ishte mënyra më e mirë për ta detyruar liderin autoritar bjellorus, Aleksandr Lukashenko, të ndryshojë qëndrim.
“Shumë bjellorusë punojnë në Lituani dhe dërgojnë para në Bjellorusi, duke mbushur buxhetin e regjimit të Lukashenkos”, tha ai.
“Kur Lituania mbyll pikat kufitare, regjimi i Lukashenkos ndien presion social, politik dhe ekonomik”.
Lukashenko e quan “mashtrim të çmendur” mbylljen e kufirit nga Lituania
Udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko, tha se vendimi i Lituanisë për të mbyllur kufirin me Bjellorusinë është një “mashtrim i çmendur”, duke e akuzuar Vilniusin se po zhvillon luftë hibride.
Kryeministrja e Lituanisë, Inga Ruginiene, tha të hënë se shteti i saj do të qëllojë balonat me kontrabandë përgjatë kufirit me Bjellorusinë, që herë pas here kanë ndërprerë trafikun ajror në këtë shtet baltik.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Bjellorusi BELTA, e citoi Lukashenkon që tha se Lituania “gjeti një justifikim absurd, këto balona, edhe për një vend të vogël si Lituania”.
Tregu i zi i duhanit është një burim i të ardhurave për qeverinë e Lukashenkos, sipas opozitës bjelloruse.
Disa persona janë arrestuar në Lituani teksa po përpiqeshin që të merrnin cigaret që ishin vendosur në balona në incidentin e javës së kaluar. Ky incident shtyu autoritetet në Lituani që të mbyllnin aeroportet.
Lëshimin e balonave me mallra kontrabandë, Lituania i ka cilësuar si “luftë hibride”.
Lituania dhe Bjellorusia për një kohë të gjatë kanë mosmarrëveshje për shkak se Vilniusi ofron strehim për anëtarët e opozitës bjelloruse në mërgim.
Sipas BELTA-s, Lukashenko tha se dislokimi i sistemit raketor rus, Oreshnik në Bjellorusi nuk është një lëvizje agresive dhe synon vetëm të ofrojë siguri.
Lukashenko shtoi se Bjellorusia dhe Rusia nuk janë të interesuara që të rrisin tensionet me Evropën.















