Ish-kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili, dënohet me 5 vite burg për pastrim parash
Ish-kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili, është dënuar këtë të hënë me pesë vite burg nga autoritetet gjyqësore të vendit, për pastrim të parave, pas një kontrolli në banesën e tij ku u sekuestruan 6.5 milionë dollarë.
Garibashvili, i cili ka shërbyer në dy mandate si kryeministër, pranoi përfitime të paligjshme gjatë viteve të fundit dhe arriti një marrëveshje me drejtësinë që kufizon kohën e qëndrimit në qeli.
Ky vendim shihet si pjesë e një lëvizjeje më të gjerë brenda partisë në pushtet, “Ëndrra Gjeorgjiane”, e cila po përballet me kritika për afrim të tepërt me Rusinë. Garibashvili ishte një nga aleatët më të ngushtë të miliarderit Bidzina Ivanishvili, njeriu që kontrollon partinë në pushtet.
Analistët politikë vlerësojnë se ky dënim dhe burgosja e zyrtarëve të tjerë të lartë mund të jenë shenja të luftës së brendshme për pushtet, sidomos pas sanksioneve perëndimore ndaj disa drejtuesve të partisë.
Gjeorgjia ndodhet në një krizë të thellë politike që nga zgjedhjet e tetorit, të cilat opozita i konsideron të manipuluara. Ndërsa qeveria pretendon se po lufton korrupsionin, kritikët dhe vëzhguesit ndërkombëtarë paralajmërojnë për goditje ndaj shoqërisë civile dhe largim nga rruga drejt Bashkimit Evropian.
Vitet e fundit, disa figura pro-evropiane janë burgosur, duke nxitur dyshime se vendi mund të rrëshqasë drejt ndikimit rus, ndërsa tensionet politike vazhdojnë të përshkallëzohen.
Flaka


















