Meta bllokon mbi 544,000 llogari në Australi pas hyrjes në fuqi të ligjit për fëmijët nën 16 vjeç
Kompania amerikane Meta ka njoftuar se ka bllokuar më shumë se 544,000 llogari në platformat e saj në Australi, në përputhje me një ligj të ri që ndalon përdorimin e mediave sociale nga personat nën 16 vjeç.
Sipas Meta, bllokimet u përqendruan në Instagram (330,639 llogari), Facebook (173,497) dhe Threads (39,916) gjatë periudhës 4–11 dhjetor 2025, ndërsa ligji hyri zyrtarisht në fuqi më 10 dhjetor.
Ky ligj konsiderohet ndër më të rreptët në botë, duke kërkuar nga platformat të ndalojnë përdorimin e rrjeteve sociale nga të rinjtë nën 16 vjeç, me kërcënim gjobash deri në 49.5 milionë dollarë australianë në rast të mosrespektimit.
Megjithëse Meta po përmbahet ndaj ligjit, kompania ka kritikuar masën, duke argumentuar se ajo nuk siguron rritje të dukshme të sigurisë dhe mirëqenies së të rinjve, ndërsa verifikimi i moshës online mbetet i pasigurt. Meta ka sugjeruar që verifikimi i moshës të kryhet në nivelin e dyqaneve të aplikacioneve, jo vetëm nga platformat.
Qeveria australiane dhe mbështetësit e ligjit thonë se kjo masë synon mbrojtjen e fëmijëve nga ndikimi i algoritmeve dhe përmbajtjeve të dëmshme, ndërsa disa ekspertë paralajmërojnë se mund të shtyjë të rinjtë drejt aplikacioneve më pak të rregulluara.
Flaka


















