SHBA zvogëlon personelin në bazën Al-Udeid mes tensioneve me Iranin
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur zvogëlimin e numrit të personelit ushtarak në bazën ajrore Al-Udeid në Katar, raportojnë mediat amerikane duke cituar zyrtarë të lartë, të cilët e përshkruajnë këtë veprim si një “masë paraprake”.
Sipas një deklarate të qeverisë së Katarit, reduktimi i personelit po bëhet në përgjigje të tensioneve aktuale rajonale dhe situatës së përkeqësuar të sigurisë në Lindjen e Mesme.
Ky zhvillim vjen pas deklaratave të ashpra të presidentit amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi se SHBA do të ndërmarrë “masa shumë të forta” kundër Iranit, nëse autoritetet iraniane vazhdojnë me ekzekutimin e protestuesve antiqeveritarë.
Nga ana tjetër, Irani ka reaguar duke paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet në rast të një sulmi nga Shtetet e Bashkuara, duke rritur edhe më tej tensionet mes dy vendeve.
Sipas organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, më shumë se 2,400 protestues antiqeveritarë janë vrarë gjatë javëve të fundit, si pasojë e shtypjes së dhunshme të protestave nga autoritetet iraniane.
Baza ajrore Al-Udeid në Katar konsiderohet një nga bazat më të mëdha dhe më strategjike ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, duke luajtur një rol kyç në operacionet ajrore dhe ushtarake të SHBA-së në rajon.
Flaka


















