Ushqimet që përkeqësojnë aknet dhe ato që ndihmojnë në pastrimin e lëkurës
Aknet dhe puçrrat janë një nga shqetësimet më të shpeshta gjatë adoleshencës, por ato nuk prekin vetëm këtë grupmoshë. Gjatë pubertetit, shfaqja e akneve konsiderohet normale si pasojë e ndryshimeve hormonale, megjithatë ekspertët theksojnë se problemet e lëkurës lidhen edhe ngushtë me mënyrën e ushqyerjes.
Sipas studimeve të cituara nga AgroWeb.org, konsumimi i tepërt i sheqerit dhe produkteve të bulmetit mund të ndikojë negativisht në përkeqësimin e akneve dhe puçrrave. Ekspertët shpjegojnë se proteinat e bulmetit mund të ndikojnë në informacionin gjenetik të lëkurës, duke nxitur inflamacionin dhe prodhimin e tepërt të yndyrës – faktorë kryesorë në shfaqjen e këtyre problemeve.
Sheqeri, i cili nuk gjendet vetëm në ëmbëlsira por edhe në produkte të përditshme si buka, djathi dhe ushqime të tjera me indeks të lartë glicemik, nxit trupin të prodhojë sasi të mëdha insuline. Sekretimi i tepërt i insulinës është i lidhur drejtpërdrejt me shpërthime më të rënda të akneve.
Ushqimet që ndihmojnë në luftimin e akneve
Ekspertët rekomandojnë konsumimin e ushqimeve me indeks të ulët glicemik, të cilat ndihmojnë në stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak dhe reduktimin e inflamacionit.
Drithërat e plota dhe buka e elbit
Buka prej elbi dhe ajo prej drithi të plotë kanë nivel të ulët glicemie dhe janë të pasura me fibër, e cila ngadalëson tretjen dhe ndihmon në kontrollin e sheqerit në gjak.
Boronica, rrushi dhe mollët
Shumica e frutave kanë indeks të ulët glicemik për shkak të përmbajtjes së lartë të ujit dhe fibrës. Ndryshe nga frutat e plota, lëngjet e frutave kanë nivel të lartë glicemie, pasi humbasin fibrën gjatë përpunimit.
Kosi
Kosi është i vetmi produkt bulmeti me indeks të ulët glicemik. Ekspertët sugjerojnë konsumimin e kosit të bërë në shtëpi, i cili konsiderohet më i shëndetshëm.
Tërshëra
Tërshëra ka indeks të ulët glicemik dhe përmban beta-glukanë, të cilët përmirësojnë ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të nivelit të sheqerit dhe yndyrave në gjak.
Arrorët
Arrorët janë të pasur me fibër, proteina bimore, acide yndyrore të shëndetshme, antioksidantë dhe minerale si magnezi dhe kaliumi. Indeksi i tyre glicemik është nën 55, duke i bërë një zgjedhje të mirë për shëndetin e lëkurës.
Flaka


















