Andy Robertson: Dëshira për të qëndruar te Liverpool, por e ardhmja mbetet e paqartë
Andy Robertson ka konfirmuar dëshirën e tij për të qëndruar te Liverpool, por ka pranuar se e ardhmja e tij mbetet e pasigurt, për shkak të nevojës për më shumë minuta loje këtë sezon.
31-vjeçari ka kaluar në një rol dytësor në Anfield pas ardhjes së Milos Kerkez gjatë verës, duke nisur vetëm 11 ndeshje në të gjitha garat dhe vetëm katër në Ligën Premier. Megjithatë, kur ka luajtur, Robertson ka qenë shumë i besueshëm dhe madje ka lënë përshtypje pozitive krahasuar me Kerkez.
Kontrata e reprezentuesit të Skocisë skadon këtë verë dhe ai ende nuk ka nënshkruar marrëveshje të re me “The Reds”. Lojtari ka treguar se ka pasur bisedime me klubin për një rinovim, por pa vendim përfundimtar:
“Kemi pasur biseda që do të mbeten private; do ta shohim se çfarë do të ndodhë. Më kanë mbetur edhe pesë muaj dhe duhet të shohim nëse ekziston opsioni për të qëndruar apo nëse ka mundësi për t’u larguar. Do të ulem me familjen time dhe do të vendosim.”
Robertson shtoi se dëshiron të luajë më shumë, pasi nuk i pëlqen të qëndrojë në stol:
“Gjithmonë dua të jem në fushë dhe të luaj, dhe tani kjo nuk po ndodh. Kam luajtur edhe kur nuk kam qenë 100% i gatshëm për klubin dhe kombëtaren, gjithmonë kam dashur të luaj. Tani gjërat kanë ndryshuar dhe dua minuta loje.”
Ai përfundoi duke thënë se shijon rolin e tij aktual, por futbollistët gjithmonë duan të jenë aktivë në fushë:
“Nëse dikush është i lumtur duke qëndruar në stol, atëherë nuk i përket asnjë klubi futbolli.”
Flaka
















