Carvajal merr përgjegjësinë pas humbjes befasuese: “Kemi prekur fundin”
Pas humbjes befasuese ndaj Albacetes, kapiteni i Real Madridit, Dani Carvajal, ka dërguar një mesazh të fortë dhe të drejtpërdrejtë për tifozët “Los Blancos”, duke marrë përgjegjësinë e plotë për situatën e vështirë të skuadrës.
“Kemi prekur fundin. Kërkojmë ndjesë. Përgjegjës jemi ne, lojtarët. Nuk jemi në nivelin e pritshmërive të Real Madridit, unë i pari,” deklaroi Carvajal.
Mbrojtësi spanjoll theksoi se ekipi ka ende kohë për ta përmirësuar situatën, por bëri thirrje për vetëkritikë të thellë dhe reflektim të secilit lojtar.
“Duhet ta kthejmë këtë situatë. Çdo lojtar duhet të vlerësojë veten. Do të flasim dhe do ta diskutojmë së bashku si ekip për të gjetur zgjidhjen,” shtoi ai.
Carvajal nuk i kurseu fjalët as për performancën kolektive të skuadrës, duke pranuar se niveli ka qenë i papranueshëm për një klub me peshën e Real Madridit.
“Çdo lojtar i Real Madridit duhet të shikojë veten në pasqyrë për një kohë të gjatë. Nuk kemi qenë mjaftueshëm të mirë dhe kur ndodh kjo, pasojat janë të pashmangshme,” përfundoi kapiteni madrilen.
Flaka


















