Dy raste të dhunës në familje brenda një dite: Arrestime në Bit Pazar dhe Manastir
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se vetëm gjatë ditës së djeshme janë regjistruar dy raste të dhunës në familje, një në Shkup dhe një tjetër në Manastir, ku viktima kanë qenë dy gra të moshave 22 dhe 79 vjeçare.
Rasti më i rëndë është shënuar në Manastir. Sipas MPB-së, më 17 janar 2026, rreth orës 19:00, nëpunës policorë nga SPB Manastir kanë privuar nga liria T.R. (28) nga Manastiri, i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht gjyshen e tij 79-vjeçare në shtëpinë familjare. Si pasojë e dhunës, viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Klinik të Manastirit për trajtim mjekësor.
Nga MPB bëhet e ditur se, në koordinim me prokurorin publik, kundër të dyshuarit do të ngrihet kallëzim penal sipas nenit 123 në lidhje me nenin 19 të Kodit Penal.
Ndërkohë, rasti i dytë është regjistruar në Shkup, në zonën e Bit Pazarit. Më 17 janar 2026, rreth orës 14:30, policia e SPB Shkup ka arrestuar F.S. (30) nga Shkupi, i cili dyshohet se rreth orës 06:10 ka sulmuar fizikisht A.M. (22) dhe e ka shtyrë përtokë bashkëshorten e tij.
Autoritetet bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj të dyshuarit do të parashtrohet kallëzim përkatës.
MPB rikujton se dhuna në familje është vepër penale dhe u bën thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast të tillë për të parandaluar pasoja më të rënda.
Flaka


















