Prapaskenë tronditëse: Si Real Madridi ndihmoi Laportën të bëhej president
Një prapaskenë befasuese ka dalë në dritë nga media spanjolle El Confidencial, sipas së cilës zgjedhja e Joan Laportës si president i Barcelonës lidhet drejtpërdrejt me një ndërhyrje vendimtare të presidentit të Real Madridit, Florentino Perez.
Sipas raportimit, gjatë procesit zgjedhor në FC Barcelona, Joan Laporta ishte i detyruar të depozitonte një garanci financiare prej 124.6 milionë eurosh në llogaritë e klubit katalanas, por nuk i kishte mjetet e nevojshme për ta bërë këtë në kohë.
Në këtë moment kyç, Florentino Perez thuhet se ka ndërhyrë personalisht, duke telefonuar Bankën Sabadell, e cila fillimisht kishte hezituar të miratonte garancinë financiare për shkak të krizës së thellë ekonomike në të cilën ndodhej Barcelona dhe mungesës së garancive për kthimin e shumës.
Megjithatë, sipas El Confidencial, Perez ka ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj bankës, derisa ajo përfundimisht pranoi dhe miratoi pagesën, duke i hapur rrugë Laportës që të plotësonte kushtet ligjore për t’u bërë president i Barcelonës.
Raportohet se arsyeja kryesore pse Florentino Perez veproi në këtë mënyrë lidhej me Superligën Europiane, pasi në atë kohë ai e shihte Joan Laportën si një aleat strategjik për projektin kontrovers. Megjithatë, Barcelona më pas është distancuar nga Superliga, duke u larguar nga iniciativa që u kundërshtua gjerësisht nga tifozët dhe institucionet e futbollit.
Ky raportim ka nxitur reagime dhe debate të shumta në Spanjë, duke vënë në pikëpyetje pavarësinë reale të klubeve dhe ndikimin e marrëdhënieve personale në vendimmarrjen institucionale të futbollit evropian.
Flaka


















