Funksioni i ri i Google Maps e bën parkimin më të lehtë se kurrë
Të harrosh se ku e ke parkuar makinën është një situatë e zakonshme, por mund të bëhet problem në aeroporte, stadiume apo qendra tregtare të mëdha. Google Maps ka prezantuar një funksion të ri për ruajtjen automatike të parkimit, i cili është tashmë në dispozicion për përdoruesit e iPhone.
Ndryshe nga metoda manuale e mëparshme, ku përdoruesi duhej të shtypte “Ruaj Parkimin”, funksioni i ri i Google Maps identifikon automatikisht fundin e udhëtimit dhe ruan vendndodhjen e makinës.
Nëse telefoni është i lidhur me makinën përmes Bluetooth, USB, Android Auto ose CarPlay, ndërprerja e lidhjes interpretohet si sinjal se makina është parkuar. Një PIN shfaqet në hartë, i dukshëm deri në 48 orë ose derisa përdoruesi ta fshijë manualisht. Kur nis një udhëtim i ri, PIN-i i mëparshëm hiqet automatikisht.
Funksioni përdor një kombinim të sinjaleve dixhitale, përfshirë lidhjen me automjetin dhe sensorët e telefonit si GPS, akselerometri dhe xhiroskopi, për të dalluar një ndalesë të vërtetë nga një bllokim i përkohshëm i trafikut. Ky mekanizëm ngjan shumë me Apple Maps, ku CarPlay ruan automatikisht pozicionin e fundit të makinës.
Ky përmirësim do t’u lehtësojë përdoruesve gjetjen e makinës së parkuar pa stres dhe humbje kohe, veçanërisht në mjedise të mbushura me njerëz.
Flaka


















