Sindikata padit 14 pjesëtarë të Ushtrisë për keqpërdorim dhe bashkim kriminal
Sindikata e Pavarur e Ushtarëve Profesionistë ka njoftuar se më 20 janar 2026 ka dorëzuar kallëzim penal në institucionet kompetente kundër 14 pjesëtarëve të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për dyshime në kryerjen e disa veprave penale.
Sipas njoftimit të sindikatës, kallëzimi penal përfshin dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar (neni 353 i Kodit Penal), bashkim kriminal (neni 394) dhe punë të pakujdesshme në shërbim (neni 353-c).
Siç bëhet e ditur, të raportuarit janë 11 oficerë dhe tre nënoficerë, të angazhuar në njësi të ndryshme të Ushtrisë. Në mesin e tyre përfshihen komandanti i Brigadës së Parë të Këmbësorisë, komandanti i Batalionit të Dytë të Këmbësorisë, tre punonjës në Petrovec, tre në Shtip, si dhe gjashtë anëtarë të komisioneve disiplinore në Shtip.
Nga sindikata theksojnë se kallëzimi lidhet me dëm të dyshuar material, të shkaktuar ndaj anëtarëve të Ushtrisë dhe buxhetit të shtetit.
Në deklaratë thuhet se sindikata ka apeluar vazhdimisht për respektimin e të drejtave të ushtarëve profesionistë dhe për zbatimin konsekuent të Ligjit për Shërbimin në Ushtri, por sipas tyre, këto thirrje nuk kanë hasur në përgjigje.
Sindikata njofton gjithashtu se, sipas pretendimeve të saj, katër gjeneralë aktualë po veprojnë kundër sindikatës dhe anëtarëve të saj, për çka paralajmëron se në periudhën e ardhshme do të paraqesë raporte shtesë në institucionet përkatëse.
Po ashtu, Sindikata e Pavarur e Ushtarëve Profesionistë i ka bërë thirrje presidentes së shtetit dhe komandantes supreme të Ushtrisë, Gordana Siljanovska-Davkova, që të rishqyrtojë vendimet për promovime dhe emërime në pozita përgjegjëse ushtarake.
Sipas sindikatës, ky është kallëzimi i pestë penal i ngritur nga ajo kundër punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë, ndërsa i bëhet thirrje Prokurorisë Themelore Publike të veprojë mbi raportet e dorëzuara.
Flaka


















