Plani i Gjermanisë për ne — po plani ynë për NE?
Shkruan : Lirim Begzati
Gjermania, që prej shumë vitesh, mendoi me urtësi, planifikoi me kujdes, dhe veproi me vizion.
Hapi dyert e saj për disa vende të Ballkanit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Kosovën e Shqipërinë, duke krijuar mundësi të reja punësimi.
Ishte një plan strategjik — për ekonominë e saj, për tregun e saj, për të ardhmen e saj.
Ne, ndërkohë, u gëzuam. U entuziazmuam. Dhe si zakonisht, morëm rrugët.
Rinia jonë – më e talentuara, më e shkolluara, më e lodhura nga premtimet boshe, zgjodhi t’i përgjigjej ftesës gjermane.
Nuk mund t’i fajësosh – sepse kur në vendin tënd humbet shpresa, çdo ftesë nga jashtë tingëllon si shpëtim.
Megjithatë, prapa këtij entuziazmi, po ndodh diçka e rëndë: vendi po boshatiset!
Dhe kjo s’është hera e parë. Është një histori që përsëritet brez pas brezi – një plagë që nuk mbyllet, një mësim që nuk mësohet kurrë.
Çdo valixhe që mbyllet sot, është një ëndërr që shkon larg.
Po çfarë bëjmë ne? Cila është përgjigjja jonë?
Ndërsa Gjermania bën plane për ekonominë e saj — a kemi ne ndonjë plan për shpirtin tonë kombëtar?
A kemi ndonjë vizion për t’i mbajtur djemtë dhe vajzat tona këtu, aty ku u lindën, aty ku duhet të rritet edhe shpresa?
Nuk kërkohen mrekulli. Nuk kërkohet magji. Kërkohet vullnet!
Dhe një ndjenjë minimale përgjegjësie. Sepse ajo që po humbim nuk është statistikë, por jetë, dashuri, energji, besim.
Dhe më e dhimbshmja – ata që po ikin nuk janë të pashkolluar, nuk janë të dorëzuar. Janë më të mirët tanë! Janë ata që duhej të ndryshonin vendin.
Dhe ndërsa ne heshtim, ata ndërtojnë të ardhmen diku tjetër.
Në zgjedhje, rrellëkush flet për ta. Asnjë program, asnjë ide, asnjë përpjekje serioze për të kuptuar çfarë do të thotë një vend pa rini.
Si mund të ketë të ardhme një komb, kur të rinjtë e tij bëhen vetëm statistikë migrimi?
Le ta pranojmë me sinqeritet: nëse Gjermania ka plan për të ardhmen me ne, pse ne s’kemi asnjë plan për të ardhmen tonë?
Është koha të ndalemi, të mendojmë, të veprojmë. Sepse nëse nuk ndërtojmë sot një program për jetën dhe dinjitetin tonë, nesër s’do të ketë më kush ta bëjë.
Dhe atëherë, kur të kthejmë kokën pas, do ta kuptojmë me dhimbje se më shumë se nga varfëria, kemi vuajtur nga heshtja jonë.
Gjermania ka plan për ne.
Po plani ynë për NE – kur do të nisë, dhe kush do ta shkruajë?


















