Trump: Krimi është në nivelet më të ulëta falë politikave të mia
Presidenti amerikan Donald Trump ka vijuar me përshkallëzimin e retorikës së tij ndaj emigracionit, duke e lidhur drejtpërdrejt sigurinë kufitare me nivelet e krimit në Shtetet e Bashkuara dhe duke pretenduar se origjina e emigrantëve luan rol kyç në këtë çështje.
Gjatë një bashkëbisedimi me klientë në një restorant në qytetin Urbandale të shtetit të Iovas, të martën, Trump deklaroi se rënia e krimit në nivel kombëtar, si dhe në shtete të veçanta si Minesota, nuk është e rastësishme, por sipas tij është rezultat i dëbimit masiv të “mijëra kriminelëve” gjatë kohës kur ai ishte në detyrë, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Trump paraqiti një panoramë alarmante të situatës globale të emigracionit, duke pretenduar se disa vende po zbrazin qëllimisht burgjet dhe institucionet psikiatrike për të dërguar individë të rrezikshëm drejt kufirit amerikan. Ai përmendi konkretisht Venezuelën dhe Kongon si burime të këtij fluksi, duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj emigrantëve, të cilët i etiketoi kryesisht si ish-të burgosur ose persona me probleme mendore.
Presidenti amerikan gjithashtu sfidoi raportimet e mediave kryesore mbi statistikat e krimit, duke deklaruar se ato “urrejnë ta dëgjojnë këtë”, por se krimi, sipas tij, ndodhet në nivelet më të ulëta të regjistruara ndonjëherë falë politikave dhe ndërhyrjeve të tij.
Deklaratat e Trump kanë ngjallur reagime të shumta dhe polemika, ndërsa çështja e emigracionit mbetet një nga temat më të ndjeshme dhe të debatueshme në politikën amerikane.
Flaka


















