Erdogan propozon samit trepalësh SHBA–Iran–Turqi, Trump raportohet pozitiv
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka propozuar homologut të tij amerikan, Donald Trump, mbajtjen e një samiti trepalësh mbi Iranin, raportojnë mediat turke.
Sipas këtyre burimeve, iniciativa është shprehur gjatë një bisede telefonike mes Erdoganit dhe Trump më 27 janar. Kreu i shtetit turk ka sugjeruar organizimin e një takimi samiti që do të përfshinte Shtetet e Bashkuara, Iranin dhe Turqinë, i cili mund të zhvillohet edhe përmes një lidhjeje video.
Mediat turke raportojnë se Trump është shprehur pozitivisht ndaj propozimit të Erdoganit, megjithëse deri tani nuk ka pasur një konfirmim zyrtar nga pala amerikane.
Ndërkohë, raportohet se ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, pritet të vizitojë Turqinë më vonë gjatë kësaj jave, ku do të zhvillojë bisedime me homologun e tij turk, Hakan Fidan. Datat konkrete të vizitës ende nuk janë bërë publike.
Bisedat e fundit telefonike mes diplomatëve të lartë të Turqisë dhe Iranit janë zhvilluar më 28 janar dhe kanë qenë të fokusuara në zhvillimet e fundit që lidhen me Iranin, si dhe në përpjekjet për uljen e tensioneve në rajon.
Flaka


















