Ekspertët zbulojnë përfitimet e çajit të hibiscusit për shëndetin e zemrës
Çaji i hibiscusit, i njohur për shijen e tij freskuese, paksa të thartë dhe aromën karakteristike të luleve, është një nga pijet më të preferuara për shumë njerëz. Përveçse i shijshëm, ai lidhet edhe me disa përfitime të mundshme shëndetësore, veçanërisht në uljen e tensionit të lartë të gjakut.
Sipas ekspertëve të cituar nga Health.com, rregullsia në konsum është më e rëndësishme sesa koha e saktë e pirjes, megjithatë për disa persona, pirja në orë të caktuara të ditës mund të sjellë përfitime shtesë.
Nutricionistja Lisa Andrews sugjeron se pirja e çajit të hibiscusit në mëngjes, idealisht midis orës 6 dhe 10, mund të jetë e dobishme për personat me tension të lartë. Kjo për faktin se presioni i gjakut zakonisht rritet natyrshëm në orët e para të mëngjesit, duke u shoqëruar me rrezik më të lartë për sëmundje të zemrës dhe goditje në tru.
Megjithatë, dietologia Sherry Goh thekson se nuk ka prova të forta shkencore që koha e pirjes së çajit të hibiscusit të jetë vendimtare për efektivitetin e tij. Sipas saj, konsumimi i rregullt është faktori kryesor për përfitime.
Ekspertët paralajmërojnë se personat që marrin diuretikë për tensionin e lartë duhet të tregojnë kujdes. Çaji i hibiscusit mund të veprojë si një diuretik i butë natyror dhe, nëse kombinohet me ilaçe të tilla, mund të rrisë sekretimin e lëngjeve dhe të shkaktojë marramendje. Për këtë arsye, rekomandohet që çaji të pihet të paktën dy orë pas marrjes së ilaçeve.
Sa i përket sasisë, studimet sugjerojnë se dy deri në tre filxhanë çaj hibiscusi në ditë mund të ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut. Megjithatë, efektet nuk janë të menjëhershme dhe kërkojnë konsum të vazhdueshëm.
Flaka


















