Trump paralajmëron Britaninë: Marrëdhëniet me Kinën janë të rrezikshme
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është “e rrezikshme” që Britania e Madhe të zhvillojë marrëdhënie biznesi me Kinën, në një kohë kur kryeministri britanik Keir Starmer po zhvillon një vizitë zyrtare në Pekin.
Komentet e Trumpit vijnë pasi Starmer u prit nga presidenti kinez Xi Jinping, me të cilin u diskutuan marrëveshje që synojnë forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e investimeve mes dy vendeve.
Duke folur gjatë premierës së një dokumentari kushtuar bashkëshortes së tij, Melania Trump, presidenti amerikan iu referua Xi Jinpingut si “mik”, duke shtuar se e njeh presidentin kinez “shumë mirë”. Megjithatë, ai shprehu shqetësim për afrimin ekonomik të Londrës me Pekinin.
Në reagim ndaj këtyre deklaratave, qeveria britanike njoftoi se autoritetet amerikane kishin qenë të informuara paraprakisht për vizitën e Starmerit në Kinë dhe për qëllimet e saj. Zyra e Kryeministrit theksoi gjithashtu se Trumpi pritet të vizitojë Kinën në muajin prill, raporton BBC.
Pas takimit me Xi Jinpingun, Starmer deklaroi se marrëdhëniet e Britanisë së Madhe me Kinën ndodhen aktualisht në një fazë “të mirë dhe të fortë”.
Trumpi komentoi shkurt edhe për marrëveshjet mes Kinës dhe Britanisë, duke e zgjeruar diskutimin te Kanadaja, për të cilën u shpreh edhe më kritik.
“Kjo është edhe më e rrezikshme, sipas mendimit tim, për Kanadanë,” tha Trumpi. “Kanadaja nuk po ecën mirë. Gjendja e saj është shumë e dobët dhe nuk mund ta shihni Kinën si zgjidhje.”
Më herët gjatë kësaj jave, Trumpi ka kërcënuar me vendosjen e tarifave ndaj Kanadasë, nëse ajo do të vazhdonte me marrëveshjet ekonomike të arritura me Kinën gjatë një vizite të fundit në Pekin nga kryeministri kanadez Mark Carney.
Flaka


















