“Fokus” zbulon dyshime për korrupsion në Tetovë: ASH kërkon hetim të menjëhershëm ndaj Kasamit
Hulumtimi investigativ i publikuar nga revista Fokus, me titull “Lugina e Ujqve e kreut të Tetovës”, ngre dyshime serioze për lidhje klienteliste, familjare dhe politike në ndarjen e tenderëve publikë në Komunën e Tetovës dhe atë të Zhelinës.
Sipas këtij hulumtimi, kompani të afërta me kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, deputetin Adnan Azizi dhe funksionarë të tjerë të pushtetit aktual, kanë përfituar tenderë publikë në vlerë mbi 6 milionë euro, duke krijuar indicë të qarta për korrupsion, konflikt interesi dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Veçanërisht shqetësues, sipas Fokus, është favorizimi i kompanisë “Murana Kompani”, në pronësi të dajës së kryetarit Bilall Kasami, si dhe lidhjet zinxhirore me kompani partnere që kanë përfituar nga projekte infrastrukturore në dy mandate radhazi.
“Këto të dhëna përbëjnë indicë serioze për konflikt interesi dhe keqpërdorim të parasë publike. Paraja e qytetarëve nuk mund të trajtohet si pronë familjare apo partiake,” thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
Hulumtimi ngre pikëpyetje serioze edhe për procedurat tenderuese, ku – sipas dokumenteve të publikuara – nuk është kërkuar përvojë ndërtimore, por vetëm kritere minimale formale, në kundërshtim të hapur me parimet e konkurrencës së ndershme dhe transparencës.
“Në një shtet ligjor, indicët e dokumentuara në media obligojnë Prokurorinë Publike të veprojë ex officio. Çdo heshtje institucionale vetëm sa e thellon dyshimin se ligji po zbatohet në mënyrë selektive,” thekson ASH.
Aleanca për Shqiptarët vlerëson se mungesa e reagimit nga Komuna e Tetovës dhe institucionet përgjegjëse është e papranueshme dhe kërkon hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe pa ndikim politik.
“Sundimi i ligjit nuk është slogan. Ai testohet pikërisht në raste të tilla, kur dyshimet prekin pushtetin aktual. Drejtësia duhet të veprojë njësoj për të gjithë,” përfundon reagimi.


















