Debat i fortë mes Trumpit dhe gazetares së CNN-it për Epstein
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është përfshirë në një përplasje verbale me gazetaren e CNN-it, Kaitlan Collins, gjatë një konference për media të martën në Zyrën Ovale.
Situata u tensionua pasi Collins e pyeti Trumpin lidhur me dosjet e Jeffrey Epstein, të publikuara së fundmi, dhe konkretisht për shqetësimet e të mbijetuarave të abuzimit seksual se administrata amerikane po “mbulon” emra dhe detaje të rëndësishme nga këto dokumente.
Pyetja e gazetares nxiti një reagim të ashpër nga presidenti amerikan, i cili e sulmoi personalisht Collinsin.
“Je gazetarja më e keqe… A e dini? Ajo është një grua e re. Nuk mendoj se të kam parë ndonjëherë të buzëqeshësh. Të njoh që 10 vjet. A e di pse nuk buzëqesh? Sepse nuk e thua të vërtetën”, ka deklaruar Trump.
Ngjarja ka ndodhur më 3 shkurt, gjatë një ceremonie ku presidenti nënshkroi një projektligj financimi prej 1.2 trilion dollarësh, i cili i dha fund një mbylljeje të pjesshme katër-ditore të qeverisë federale.
Incidenti ka nxitur reagime të shumta në media dhe rrjete sociale, duke rihapur debatin mbi marrëdhëniet e tensionuara të Trumpit me gazetarët dhe lirinë e medias në SHBA.
Flaka


















