Studimi paralajmëron: Gjumi i pamjaftueshëm lidhet me rrezik më të lartë për sëmundje kronike
Gjumi i dobët jo vetëm që ndikon në cilësinë e jetës, por mund të jetë edhe një sinjal paralajmërues për probleme serioze shëndetësore, tregojnë studimet shkencore.
Një hulumtim i publikuar në revistën PLoS Medicine ka analizuar lidhjen mes gjumit dhe shëndetit te rreth 8,000 nëpunës civilë britanikë. Pjesëmarrësit u pyetën për numrin mesatar të orëve të gjumit, ndërsa disa prej tyre përdorën pajisje për matjen e gjumit.
Gjatë një periudhe ndjekjeje prej 20 vitesh, studiuesit monitoruan shfaqjen e sëmundjeve kronike, përfshirë diabetin, kancerin dhe sëmundjet e zemrës. Rezultatet treguan se personat që flinin pesë orë ose më pak rreth moshës 50 vjeç kishin një rrezik 30 për qind më të lartë për zhvillimin e më shumë sëmundjeve krahasuar me ata që flinin rreth shtatë orë në natë.
Studimi gjithashtu gjeti se gjumi i shkurtër në moshën e mesme lidhej me rrezik më të lartë vdekjeje, kryesisht si pasojë e sëmundjeve kronike. Sipas studiuesve nga University College London dhe Paris Cité University, shumica e ekspertëve rekomandojnë 7 deri në 8 orë gjumë në natë për shëndet optimal.
Pse gjumi është kaq i rëndësishëm?
Shkencëtarët ende nuk e dinë plotësisht pse gjumi është thelbësor, por është e qartë se ai ndihmon trurin të përpunojë kujtimet, përmirëson humorin, përqendrimin dhe metabolizmin, si dhe ndihmon në pastrimin e trurit nga substanca të padëshiruara.
Këshilla për një gjumë më cilësor
Ekspertët sugjerojnë disa hapa praktikë për përmirësimin e gjumit:
- Qëndroni aktiv gjatë ditës, por ngadalësoni ritmin në mbrëmje
- Shmangni dremitjet gjatë ditës
- Vendosni një rutinë të rregullt gjumi
- Sigurohuni që dhoma e gjumit të jetë e qetë, e errët dhe me temperaturë të rehatshme
- Ulni ose shmangni kafeinën dhe alkoolin para gjumit
- Nëse nuk flini dot, çohuni dhe bëni diçka relaksuese, si leximi i një libri
Drejtori i Qendrës së Gjumit në Surrey, Prof. Derk-Jan Dijk, i tha BBC News se studimi konfirmon se gjumi shumë i shkurtër nuk është i shëndetshëm për shumicën e njerëzve. Ai theksoi se gjumi është një faktor i stilit të jetesës që mund të përmirësohet, ndërsa shumë probleme të gjumit mund të zgjidhen pa përdorimin e barnave, të cilat shpesh kanë efekte anësore dhe rrezik varësie.
Flaka


















