SPB Tetovë ngre alarmin, rritet përdorimi i drogës nga të miturit në shkolla
Përdorimi dhe shpërndarja e drogës dhe substancave të tjera narkotike po rritet tek të miturit në shkollat e Tetovës, konfirmojnë autoritetet lokale dhe policia.
Komandanti i SPB-Tetovës, Muhamed Ademi, tha se kontrollet janë intensifikuar nëpër shkolla dhe në afërsi të tyre. “Janë rritur kontrollet në objektet hotelerike që janë pranë shkollave. Nuk kemi të dhëna të sakta për numrin e të gjithë rasteve, por kemi një rritje të zbulimit të tyre. Droga më e shpeshtë është marhuana, por nuk mungon as kokaina,” deklaroi Ademi.
Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, theksoi se bashkëpunimi me SPB-Tetovën synon parandalimin e këtyre dukurive devijante. Ai bëri thirrje edhe ndaj prindërve të jenë më të kujdesshëm ndaj fëmijëve të tyre.
“Ne do të vazhdojmë luftën kundër këtyre dukurive devijante, pasi ato janë sfidat e kohës moderne. Si pushtet lokal, në bashkëpunim me SPB-Tetovën, Ministrinë e Arsimit dhe Inspektoriatin Shtetëror për Arsim, do të rrisim kontrollet, masat parandaluese dhe konsultimet. Nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve – prindërit duhet të jenë aktivë dhe të kujdesen për fëmijët e tyre,” tha Kasami.
Ai gjithashtu premtoi se shumë shpejt do të punësohen psikologë dhe sociologë në shkollat e Tetovës, ku aktualisht ka mungesë të kuadrit profesional për të adresuar problemet sociale dhe psikologjike të nxënësve. Gazeta Flaka
















