Tragjedi në Indi: Shembet luhatësja, humb jetën një inspektor policie
Një inspektor policie humbi jetën dhe të paktën 12 persona të tjerë u plagosën pas shembjes së një luhatëseje në Surajkund International Crafts Mela, në qytetin Faridabad të Indisë.
Aksidenti ndodhi rreth orës 18:15, të shtunën, kur luhatësja pësoi një defekt teknik dhe njëra nga shtyllat mbështetëse u shemb, duke bërë që e gjithë struktura të anohej dhe më pas të rrëzohej në tokë. Në kaosin që pasoi, disa vizitorë mbetën të lënduar.
Sipas autoriteteve, inspektori i policisë Jagdish Prasad, i cili ndodhej në vendngjarje, nxitoi për të ndihmuar personat e bllokuar në momentin kur luhatësja filloi të shembej. Ai pësoi lëndime të rënda në fytyrë dhe kokë, pasi u godit nga një pjesë e strukturës, dhe ndërroi jetë më vonë si pasojë e plagëve të marra gjatë operacionit të shpëtimit.
Zyrtarët bënë të ditur se gjithsej 13 persona u lënduan dhe u transportuan me urgjencë drejt spitaleve të zonës, ku po marrin trajtim mjekësor. Gjendja e tyre shëndetësore po monitorohet nga mjekët.
Menjëherë pas incidentit, në vendngjarje mbërritën zyrtarë të lartë të distriktit, përfshirë zëvendëskomisionerin e Faridabadit, Ayush Sinha, drejtues të Turizmit dhe oficerë të lartë të policisë. Zona u barrikadua për të shmangur rreziqe të mëtejshme dhe për të garantuar sigurinë e vizitorëve, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për shkaqet e aksidentit.
Flaka
















