Nje fillim i ri

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Shkurt, 2026 08:43

Nje fillim i ri

Kolumnë nga Memedali Jusufi

Arti në përgjithësi dhe edukata estetike në vecanti përmbajnë edhe fuqinë dhe mjeshtrinë e njohur të komunikimit të brendshëm shpirtëror ose emocional që i dedikohet shpirtit dhe që është pika më e ndjeshme dhe më esenciale e organizmit e jetës ose organizmit të njeriut.
Sipas estetikës, në art çdo gjë është relative, përveç të bukurës (bukurisë) që është absolute, e përjetshme, relevante, sublime dhe madhështore. Me fjalë tjera, asgjë nuk është më e fuqishme dhe më e pushtetshme tek njeriu, se sa edukata, kultura, arsimimi dhe arti ose bukuria e tij.
Ndryshe nga kjo, edukata estetike, është një koncept shumë më i gjerë sesa koncepti mbi edukaten artistike. Kjo e fundit është e kufizuar ose limituar dhe ka të bëjë vetëm me të bukurën ose bukurinë në artin e krijuar letrar, vizatimor etj. Ndërsa, edukata estetike ka të bëjë me të bukurën në përgjithësi. Në natyrë, në jetën familjare, shoqërore ose politike, në cilëndo krijimtari njerëzore, fizike, mendore, morale, psiçike (psikologjike), intelektuale, kulturore, profesionale etj.
Arti dhe letersia.
Realishte sa me thelle te shkosh ne eksplorimin e gjenive te kohes aq me shume mbushesh me impresione. Mbase letersia edhe nuk te ben me te mencur ,por nje jam i sigurtte se letersia te bene me te kulturuar.
Jorge Luis Borges është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të XX. Ndonëse nuk e mori Çmimin Nobel në letërsi, vepra e tij arriti majat. Ai shquhet për erudicionin e jashtëzakonshëm, mjeshtrinë e rrëfimit dhe ndjeshmërinë e lartë ndaj çështjeve që prekin dhe kanë tëbëjnë me qeniet njerëzore
Teksa përshkruante punën e tij, Borgesi shkruante: “Unë nuk jam as mendimtar as moralist, por thjesht një njeri i letrave, që respekton sistemin e të menduarit, i shkruan mendimet e tij në atë formë letërsie, të cilën ne e quajmë filozofi.”
Jorge Luis Borges lindi në Buenos Aires, u shkollua në Zvicër dhe për një kohë të shkurtër jetoi në Spanjë. Më 1921 ai u kthye në Argjentinë, ku krijoi periodikë të ndryshëm me letërsi dhe filozofi, si dhe botoi poezi lirike me temë nga historia e Argjentinës.
Krijimtaria e tij poetike përmbledh: “Fervor de Buenos Aires”, “Luna de enfrente”, “Cuarderno San Martìn”. Më 1930, Borges kaloi nga shkrimi i poezive në rrëfime të shkurtra për të cilat ai është shumë i njohur. Disa prej botimeve të tij janë: “Ficciones”, “El Aleph”, “El libro de los seres imaginarios”, “El informe de Brodie” etj. Gjithashtu, Borges shkroi edhe letërsi filozofike dhe ese ku mund të përmendim botimin e eseve “Otras inquisiciones”.
1908- Lexon dhe perkthen nga anglishtja si psh. perkthimi i “Princi i Lumtur” te O.Wilde.
1914-Familja e tij shperngulet ne Gjeneve ku, Borges, spanjishtes dhe anglishtes i shton dhe frengjishten dhe gjermanishten.
1919-1921-Familja Borges udheton ne Spanje ku, Borgesi i ri lidhet me poete te levizjes ULTRAS ne Madrid ku shkruan edhe disa poezi, persiatje e mendime.
1923- Dy vjet pas kthimit ne Argjentine boton vellimin poetik qe e beri te famshem “Afshi i Buenos Airesit” ku publikohen 38 poezi te cilat, sot konsiderohen si kryeveprat e tij ne poezi.
1925 deri me 1936 boton: vellimin e dyte poetik “Hena nga nje faqe” me 21 poezi. Essene e pare Inkuizicionet, essene “Debati”, essene “Madheshtia e shpreses sime”, vell. me poezi “Rradhori i Shen Martinit, biografine e Evaristo Carrigo, “Histori e pergjithshme”, “Pasioni”, “Histori e perjetesise”.
1930- Ky vit shenon fillimin e verbimit e tij dhe qe ketej e tutje krijimtaria e tij mbeshtetet vetem ne kujtese dhe diktim.
1938 – Ngarkohet me detyren e biblotekarit ne Bibloteken Kombetare.
Ne vitet 1940 – 1981 boton: Novelen “Pier Menar, autor i Don Kishotit”, “Aleph”, essete “Inkuzicionet e tjera”, permbledhjen “Tregime te jashtezakonshme”, “Enderr tigrash”, “LIbri i te qenit imagjinar”, “Raportet e doktor Brodise”, “Autobiografia”, “Libri prej rere” permbledhja poetike “Shifra” etj..
Kundera
Duke shpresuar se këtu do të gjesh sadopak lumturi…” Ky është dedikimi në frëngjisht që Milan Kundera i ka lënë më 13 maj të vitit 1981 një lexuesi të panjohur, në faqen e parë të romanit “Valsi i lamtumirës”. Libri, fletët e të cilit janë zverdhur nga koha, ndodhet prej kohësh në bibliotekën prej tre mijë librash të profesor Ferdinant Lekës, i cili e ka blerë atë te bukinistët në Itali. I tërhequr nga letërsia e Kunderës, linguisti dhe përkthyesi i njohur i italishtes, e bleu atë pa i vënë rëndësi dedikimit që ndodhej në faqen e parë. Muaj më vonë, teksa nisi të lexonte romanin në botimin frëngjisht, do të ndalej te dedikimi i faqes së parë, në fund të së cilit ishte firma e Milan Kunderës. Çdo libër ka brenda tij jo vetëm historinë që tregon, por dhe historitë e njerëzve që kanë dashur ta blejnë atë, të takimeve apo ngjarjeve që i kanë çuar drejt asaj zgjedhjeje. Kundera i uron lexuesit pa emër të gjejë sadopak lumturi, në atë kohë që përkon dhe me shpërnguljen e tij përfundimtare në Francë bashkë me të shoqen Vera, nga Çekia. Profesor Leka, e tërheq ngadalë nga biblioteka librin që e ruan si një thesar bri mijëra librave që ndodhen në çdo cep të kësaj hapësire të vogël. Si një lexues i vjetër, ai ka mbajtur shënime për çdo kapitull a faqe, gjë e cila duket në fund të librit, ku ka shënuar me laps dhe karakteristikat që ka gjetur pas çdo faqeje. Në faqen 143, ai shënon: “ndihet humanizmi i autorit”. Ashtu si ky libër me dedikimin e Kunderës, ashtu dhe këto shënime të lëna nga profesor Leka, janë shenja që i japin një tjetër vlerë këtij botimi. Romani është botuar nga “Gallimard” dhe është përkthyer në frëngjisht nga François Kerel dhe shoqërohet me një parathënie nga Elisabeth Pochoda. “Valsi i lumturisë” është botuar për herë të parë në gjuhën çeke në vitin 1972. Versioni frëngjisht i tij doli në vitin 1976 dhe më pas ai anglisht. Ky roman është një rrëfim për dashurinë dhe urrejtjen, dhënë përmes jetës së tetë personazheve që jetojnë së bashku në një qytet të vogël në Çekosllovakinë e vitit 1970. Për kritikët, ky është një libër që u drejtohet shumë shtresave. Dhe pse i ngjason një komedie, ndihen tone dramatike të situatës në të cilën shtrihet ngjarja. Kundera di të japë përmes humorit elegant, tema të ndjeshme për shoqërinë. 32 vjet nga koha e këtij dedikimi, ky roman është botuar në më shumë se 40 gjuhë të botës, dhe vazhdon të jetë një ndër librat më të botuar në SHBA. Libri vazhdon të quhet si tepër bashkëkohor, i ngjashëm me dedikimin e Kunderës, që nuk është zbehur nga koha.
Vitet nuk kanë ndryshuar shumë gjëra në jetën e Vera Hrabankovës. Dëgjon të njëjtën muzikë dhe të njëjtat piktura surrealiste ndodhen në muret e shtëpisë së saj në Montparnasse. Disa piktura janë të artistëve çekosllovakë, të cilat ajo dhe i ka pasur miq, disa të tjera të piktorëve të preferuar blerë në Galeritë e Parisit. Flokët e saj janë të shkurtër, ndërsa sytë vazhdojnë të ruajnë shkëlqimin e vajzës së dikurshme, që la gjithçka për t’i shkuar pas burrit që deshi. Ai ishte Milan Kundera. Kur mbërritën bashkë në Paris në vitin 1975, ajo nuk mund ta mendonte se nuk do të shpërnguleshin më asnjëherë prej tij. Ajo do ta linte disi pas dore karrierën e saj si kompozitore dhe do t’u përkushtohej shkrimeve të të shoqit. “Ai nuk mund të jetojë pa Verën”, thonë sot gazetarët që kanë mundur të futen në apartamentin e tyre në Paris. Ajo vazhdon të jetë pika e tij e lidhjes me botën, në një kohë kur ka hequr dorë nga çdo komunikim me median. Që pas marrjes së çmimit “Nobel”, Milan Kundera ka zgjedhur të heshtë dhe të flasë përmes librave që shkruan. Është Vera ajo që përmes gjesteve apo shprehjeje të lë të kuptosh se çfarë po ndodh tani, me burrin e rrallë të letërsisë, i cili i ka kaluar të 80-at. Pasditeve ai ulet në poltronin e tij dhe bashkë me të shoqen shijojnë çajin me filxhanët e blerë në Pragë. Shpeshherë në shtëpi i vijnë vizita nga miqtë e kohës së rinisë në Pragë, por edhe shkrimtarë të rinj çekosllovakë që duan të marrin bekimin nga Kundera. Kur ata lexojnë poezi në gjuhën çeke, atëherë Vera dhe ai zhyten në vitet e trazuara të rinisë. Kundera nuk është larguar asnjëherë nga atdheu i tij, pavarësisht se jeton në Francë. Në librat që ka shkruar dhe vitet e fundit mund ta gjesh shumë lehtë ndikimin nga vendi i tij i lindjes. “Unë nuk jam një pesimist dhe nuk dua të jetoj si i tillë”, i shkruante ai Philip Roth në një bashkëbisedim të gjatë për jetën dhe vdekjen. I lindur më 1 prill 1929 në Brno në Çeki, Kundera jeton në Francë që prej vitit 1975. Në vitin 1981 ai ka fituar nënshtetësinë franceze. Ai lindi në një familje të klasës së mesme shumë të kulturuar. Babai i tij, muzikologu dhe pianisti Ludvík Kundera (1891-1971), ishte nxënës i kompozitorit të famshëm Leoš Janáček. Babai i mësoi Kunderës të luante në piano që në moshë të re. Më vonë ai studioi muzikë për njëfarë periudhe. Influenca e muzikës, ashtu si referenca të shpeshta mbi të, mund të gjenden në shumë vepra të tij. Kundera e përfundoi shkollën e mesme në Brno më 1948. Më pas, ai vazhdoi studimet e larta për letërsi dhe estetikë pranë Fakultetit të Arteve në Universitetin Charles. Pas dy vitesh studime u transferua në Fakultetin e Filmit të Akademisë së Arteve të Bukura ne Pragë, ku u përqendrua në regjizurë dhe skenografi. Më 1950-n, Kundera u detyrua t’i ndërpriste studimet për arsye politike. Pas diplomimit më 1952 u caktua si profesor i letërsisë botërore pranë Akademisë së Filmit. Kundera i përkiste brezit të të rinjve çekë që nuk e kishin provuar Republikën Demokratike Çekosllovake të paraluftës. Rritja e këtij brezi u karakterizua prej eksperiencës së fituar nga Lufta e Dytë Botërore dhe pushtimi gjerman. Përvoja e totalitarizmit gjerman krijoi një imazh bardhezi të botës te ky brez (komunizëm dhe fashizëm) dhe, për rrjedhojë, shtyu një pjesë të madhe të tyre të aktivizoheshin pranë rretheve marksiste dhe të anëtarësoheshin në Partinë Komuniste. Milan Kundera u anëtarësua në Partinë Komuniste Çekosllovake, e cila ishte në pushtet në vitin 1948, kur ishte ende një adoleshent. Më 1950, bashkë me një tjetër shkrimtar çek, Jan Trefulka, Kundera u përjashtua nga partia për “aktivitete kundër partisë”. Trefulka e përshkruan incidentin në novelën e tij “Pršelo jim štěstí” (Lumturia ra mbi ta) ndërsa Kundera u frymëzua nga kjo ngjarje për të shkruar novelën e tij të parë “Žert” (Loja, 1967). Milan Kundera u ripranua në Partinë Komuniste më 1956-n. Më 1970, ai u përjashtua nga partia për herë të dytë. Kundera, së bashku me artistë dhe shkrimtarë të tjerë si Václav Havel, ishte i përfshirë në Pranverën e Pragës së vitit 1968. Gjatë kësaj periudhe reformizmi dhe optimizmi i pakët u shtypën nga pushtimi i Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik në gusht të 1968. Kjo e ndau nga kultura dhe jeta çeke, ndaloi përkthimin e librave të tij të shkruar në frëngjisht në çekisht (publikimi ose ripublikimi i librave të tij të vjetër në Republikën Çeke u lejua vetëm pas 1989-
“Shakaja” është një prej romaneve të njohur të Kunderës i cili është botuar në gjuhën shqipe nën përkthimin e Mirela Kumbaros dhe shtëpia botuese “Dituria”. Libri është një radiografi e sistemit komunist në Çekosllovaki. Një tjetër botim në shqip, Kundera e ka pasur në vitin 2004 nga “Vatra” me librin “Fati i Irenës” nën përkthimin e Gani Lekës. “Testamentet e tradhtuara” është një tjetër libër me ese i tij, i përkthyer nga Balil Gjini dhe i botuar nga “Pika pa sipërfaqe” më 2011. “Arti i romanit”, një libër ku Kundera flet mbi artin e të shkruarit është botuar më 2001, nën përkthimin e Adem Jakllarit, nga “Toena”. “Bota e teorive nuk është imja. Dua të nënvizoj se nuk kam as më të voglën ambicie teorike, dhe se ky libër nuk është veçse rrëfimi i një krijuesi të mirëfilltë. Vepra e çdo romancieri përmban një vizion të qartë të historisë së romanit, një ide që rreket të shpjegojë se ç’është romani. Është kjo ide mbi romanin, e qenësishme në romanet e mi, që më ka nxitur mua të provoj të flas”, shkruan ai në këtë libër. “Nostalgjia” është një tjetër roman i shqipëruar nga Jani Guxi, botim i “Albin”. Në libër flitet për Irenën dhe Jozefin të njohur dikur në Pragë, pa arritur të dashurohen, pas njëzet vjet emigrimi, pavarësisht nga njëri-tjetri, ndërmarrin një udhëtim për në atdheun e tyre, në Republikën Çeke. E vërteta e hidhur është se jo vetëm historia e tyre e dashurisë nuk rilind, por kthimi i tyre, në tërësinë e tij, për shkak të harresës,
Ernesto Sabato-
.Mund të themi lirisht se vepra “Tuneli” e shkrimtarit argjentinas Ernesto Sabato është një nga ato vepra ku vërehet qartë ndikimi i shkrimtarëve kolosë, siç ishin Dostojevski dhe Kafka. Romani “Tuneli” rrëfen marrëdhënien komplekse mes artistit Huan Pablo Kasteli dhe Maria Iribarne Hunter, të cilën ai e takon për herë të parë kur ajo ishte duke shikuar një nga pikturat e tij në një galeri. Artisti krijon përshtypjen se kjo grua e panjohur mund të shohë në shpirtin e tij dhe se ajo është disi e aftë të kuptojë emocionin pas krijimit të tij artistik. Huan Pablo Kasteli fiksohet menjëherë pas kësaj të panjohure dhe bën gjithçka në fuqinë e tij për t’u bërë dashnor i Marias.
Megjithatë për një person të mësuar me vetmin, i cili vazhdimisht sheh gabime në njerëzit që takon ose i vëzhgon duke ecur përgjatë rrugëve të qytetit dhe që mosbesimin e ka pjesë të natyrës së vet njerëzore, është e dukshme se marrëdhënien e tij me Marian do të karakterizohet nga xhelozia dhe mosbesimi. Fatkeqësisht Huan Pablo Kasteli është larg nga të qenit një dashnor ose shok ideal. Siç pritet, errësira së shpejti merr kontrollin dhe duke kapur fort dyshimin e gabuar që Maria e mashtron atë me burra të tjerë, ai i drejtuar nga një zemërim i çmendur niset te shtëpia e Marias ku ajo qëndron me kushëririn e saj dhe kryen një veprim që e çon prapa grilave. I botuar fillimisht në revistën letrare “Sur” në vitin 1948, “Tuneli” ndan një numër të caktuar karakteristikash të përbashkëta me “Të huajin” e Albert Camus. Të dy librat kanë si narrator në vetën e parë protagonistin, i cili përfundon i burgosur pas dënimit për vrasje dhe nga qelitë e burgut ata i shqyrtojnë incidentet dhe rastësitë që kanë çuar në burgosjen e tyre.
Camus dikur vuri në dukje se zgjedhja më e madhe me të cilën përballet njeriu në një botë absurde është nëse do të bëjë vetëvrasje apo jo. Karakteri i Sabatos përballet me zgjedhje të ngjashme ekzistenciale. Nuk ka asnjë shenjë pendimi te Kasteli, ndërsa ai pasqyron veprimet e tij në burg. Ai e shikon diellin duke u ngritur në një ditë të re dhe mendon se ata burra dhe gra që zgjohen në Buenos Aires, duke ngrënë mëngjeset e tyre mund të mos jenë aq të lirë sa mendojnë që janë. “Tuneli” i Sabatos nuk është një prej atyre që në fund nxjerr një dritë. Përkundrazi, romani shkon më thellë në skutat e errëta të shpirtit të Kastelit. Ndoshta pikërisht për këtë fakt është bindës kur e lexoni.
LIbri eshte nje dritare permes te cilit ne e njohim boten me mire dhe padyshim eshte nje medikament shume i mire per ta perballur situaten ne te cilen ndodhemi. Nën shoqërimin e librit njeriu kurrë nuk ka ndjerë monotoni, vetmi dhe pakënaqësi, ngase çdo fjalë brenda tij e bën të ndryshojë botëkuptimin mbi jetën, mbi veten, mbi tjetrin, mbi fenomenet e ndryshme, e në veçanti të mendojë edhe për botën e madhe shpirtërore të shkrimtarit, dora dhe mendja e të cilit para tij kanë dhënë diçka që ai s’do ta gjente askund tjetër. Në libër përpos mendimeve të thella filozofike të shkrimtarit, ne takojmë edhe personazhe, veprimet dhe synimet e të cilëve herë-herë kanë edhe pika të përbashkëta me ne, qofshin ato personazhet e shkrimtarëve tanë kombëtarë, qofshin ato të huaj. Kjo është fuqia e librit, pra tërheqja që të bën ndaj tij për t’i dalë deri në fund, për ta ndjekur, përkrahur ose akuzuar personazhin e tij, e për një çast për ta harruar botën e egër e të sëmurë përreth nesh. Sot ua prezentojme disa shkrimtare per te cilet u folem me ne detaje ne emisionin horizont i diturise.
Umberto Eco
Kritiku, mendimtari dhe shkrimtari me famë ndërkombëtare, Umberto Eco lindi në Aleksandri të Italisë Veriore, më 5 janar të vitit 1932, ndër kaq ndërroi jetë vetëm para disa ditëve gjegjësisht me 20 shkurt të vitit 2016.
Kryevepra e tij “Emri i Trëndafilit” u publikua në vitin 1980. Romani është një mister historik i vendosur në një manastir të shekullit të 15-të. Prifti françeskan Uilliam i Baskervilit, i ndihmuar nga asistenti i tij Adso, një rishtar Benediktin, heton një seri vrasjesh në manastir ku po zhvillohet një debat i rëndësishëm fetar. Eco është veçanërisht i zoti në përkthimin e debateve të jetës fetare të mesjetës dhe herezive në një debat modern politik e ekonomik, i cili bëhet i kuptueshëm edhe për lexuesin që nuk është teolog.
Qysh në batutat e para, lexuesi kupton se ka të bëjë me një tekst të shkruar nga një intelektuali të madh, por, në të njëjtën kohë, edhe kompleks, që prek dy tradita: atë të letërsisë së verdhë dhe atë të romanit historik, ndaj nëse ende s’e keni lexuar këtë vepër madhore, Portalb ju sugjeron që ta bëni atë.
Romani mbart shumë referenca direkte ose indirekte, të cilat kërkojnë në vetvete një punë hetimore nga ana e lexuesit për t’u zbuluar. Vetë titulli nuk është i shpjeguar në roman por gjithsesi i bën jehonë fjalëve të Shekspirit “Një trëndafil me çfarëdolloj emri tjetër do të mbante erë djersë”. Uilliami i Baskervillit është një anglez i prirur nga logjika me pasion për librat dhe që më pas verbohet nga ky pasion.
Personazhi është një referencë mirënjohëse për Jorge Luis Borges, i cili ka ushtruar ndikim të madh te Eco. Borges bëri një jetë murgu dedikuar pasionit të tij për librat deri sa u verbua. Uilliami, personazhi i Eco-s, është njëkohësisht një murg dhe një hetues dhe emri i tij i bën jehonë gjithashtu Sherlok Holmsit, veprës së Arthur Conan Doyle. Misteri që shoqëron vrasjet në manastir është huazuar nga Përrallat Arabe, “Një mijë e një net”.
Duke kaluar nga estetika mesjetare te semiotika, te kodet e komunikimit artistik, prodhimtaria e tij është shumë e gjerë. Nuk mund të harrohet suksesi planetar me romanin “Emri i trëndafilit”, i ndjekur më pas edhe nga të tjerë romane të suksesshme.
Romani u transformua si film me të njëjtin titull me aktorët Sean Connery, F. Murray Abraham dhe Christian Slater. Filmi merret me temën e misterit dhe vrasjeve pa hyrë në detajet e filozofisë dhe historisë ashtu siç janë të përshkruara në libër.“Lufta dhe Paqja”, vazhdon të mbërthejë gjenerata të tëra lexuesish të cilët joshen me tregimin dhe kuptimin e qartë dhe inteligjent të shpirtit njerëzor, nëse ende s’keni vendosur çfarë të lexoni këtë javë, Portalb ua sugjeron këtë roman të mrekullueshëm. Libër që në njëfar mënyre shkon me motin e ftohtë.
Tolstoi
“Lufta dhe Paqja”, është një roman me katër vëllime, i botuar në vitin 1869 prej Leon Tolstoit. Në këtë roman flitet për ngjarjet e trazuara në Rusi gjatë luftërave të Napoleonit në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Libri përmbledh një periudhë relativisht të shkurtër – pesëmbëdhjete vjet – por paraqet jetët e karaktereve të ndryshëm nga të gjitha segmentet e shoqërisë me detaje të gjalla dhe të realizuara mirë.
Romani pasqyron përballjen e një gjenerate me ndryshimin, i cili i bën disa që të luftojnë për të mbrojtur strukturën ekzistuese edhe me jetën e tyre, ndërsa të tjerët e kuptojnë se mënyrat e vjetra po zhduken.
Autori i mirënjohur Mark Tuein është shprehur për këtë libër:
“Tolstoi ka harruar të përfshijë vetëm një garë me varka, sepse çdo gjë tjetër që ka lidhje me pushtimin e Rusisë nga Napoleoni në vitin 1812 është këtu.”Luftë dhe Paqe
Tolstoi është ekspert në vizatimin e duhur të skenave dhe të betejave, pasi ai përshkruan ndjenjat personale të qindra karaktereve nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Ajo që e bën librin kaq të dashur, është se mes morisë së madhe të personazheve janë edhe tri përshkrime fantastike të princit Andrei, Natashës dhe Pierit, të cilët luftojnë me dashuri dhe përpiqen të gjejnë një mënyrë të duhur për të jetuar.
Pjesërisht leksione historie, pjesërisht romancë e mrekullueshme, pjesërisht revizionizëm betejash, dhe pjesërisht leksione filozofie, këtë e karakterizon kë libër të mrekullueshëm.
Kadare
Pallati i ëndrrave” është një roman i shkruar nga Ismail Kadare, dhe botuar për herë të parë më 1981 si “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”.
Libri në fjalë është një nga romanet thelbësore të Kadaresë, me frymën e epikës, të cilën letërsia evropiane e quante të shteruar: me njëmbëdhjetë romane, ¬ titujt kryesorë të të cilëve po përkthehen herë pas here, vepra e tij vazhdimisht ka qenë në listën e kandidaturave për çmimin “Nobel”.Në këtë roman Kadare, e jep realitetin e kohës dhe të njerëzve të saj prapa metaforave të tilla të gatshme si “pallati i ëndrrave”, nëpunësit dhe interpretuesit të tyre, ëndrra kolektive dhe individuale, ëndrra fatsjellëse dhe rrezikndjellëse, ëndrra e rëndomtë dhe bash-ëndrra. Të gjitha këto Kadaresë ia ofroi mekanizmi i ndryshkur i shtetit të fuqishëm të perandorisë otomane në fundin e tij.
Karakteri shumëkohësh i “Nëpunësit të Pallatit të Ëndrrave”, përkundër karakterit shumëkuptimësh të një vargu veprash të tjera të Kadaresë, lidhet me raportin themelor që qëndron në boshtin e romanit: raporti i individit me shtetin, më saktë raporti i individit që ka ambicien të integrohet në strukturat shtetërore dhe që e gënjen mendja se do të fuqizojë veten prej fuqisë së pushtetit, por në të vërtetë, duke e parë nga brenda këtë ngrehinë të përbindshme, ai njeh dobësinë dhe pafuqinë e tij, sheh peshën mbytëse të strukturave gjigande të makinës perandorake, e cila ndryshon vetëm nga përmasa fizike, por jo nga mënyra e të ushtruarit të artit të shuarjes së identitetit njerëzor.
Çdo përpjekje e individit për t’u matur me shtetin, për të depërtuar në brendësi të tij dhe për ta marrë me të mirë, është e dështuar. Individi në çfarëdo raporti që ta vendosë veten me shtetin, mbetet i kërcënuar prej tij.
Me këtë vepër, Kadareja i ka dhënë karakterin e një konflikti të përjetshëm marrëdhënies pushtet/individ
Garcia Markez
Historia e librit më të famshëm të nobelistit kolumbian, Gabriel Garcia Marquez, “Njëqind vjet vetmi”, fillon në mars të vitit 1952, gjatë një udhëtimi me nënën në Aracataca për në fshatin e tij të lindjes. Ndoshta pikërisht në ato ditë Macondo filloi të marrë jetë në mendjen e shkrimtarit. Hija e gjyshit, figura më e rëndësishme e jetës së Marquez-it, e ndihmoi të mbyllej me fantazmat e shtëpisë ku kishte jetuar në fëmijëri, për të krijuar botën e tij magjike.
“Njeriu lufton për të mos arritur asgjë; për t’u gjetur sërish në pikënisje, koha përsëritet; faktet gjithashtu vetmia e ndjek njeriun hap pas hapi; ”, janë vetëm disa nga mesazhet për të cilat sygjerohemi ta lexojme romanin e mrekullueshëm të mbretit të realizmit magjik, Marquez, “Njëqind vjet vetmi”.
“Libri më i mirë në gjitha gjuhët në 50 vitet e fundit” komenton autori i njohur Salman Rushdie.
Në veprën në fjalë, përshkruhet ngritja dhe rënia e familjes Buendia dhe e fshatit Macondo, themeluar prej saj në zemrën e Kolumbisë. Gjashtë breza, jetët e të cilëve gërshetohen në një dimension alternativ, në një vend jashtë botës. Nga kryeplaku i familjes dhe themeluesi i Macondo-s, Jose Arcadio Buendia deri tek fëmija i fundit me të cilin mbyllet romani kalon një shekull, një shekull plot magji dhe misticizëm.Gabriel Garcia Marquez, “Njëqind vjet vetmi”Duke u martuar Jose Arcadio me kushërirën e tij Ursula, të gjashta brezat jetojnë të mbytur nga supersticioni dhe nga frika e fëmijëve me bisht derrkuci. Të pakta janë çastet e lumtura në jetën e Mocando-s, shpesh i trazuar nga lufta civile, lulëzimi ekonomik, shfrytëzimi, katastrofat natyrore dhe shkatërrimet nga dora e njeriut. Jeta që zhvillohet në faqet e romanit nuk është vetëm ajo e fshatit, por e gjithë Amerikës Latine.
Personazhet e romanit kanë të njëjtat emra dhe nëse keni vendosur ta lexoni, do bënte mirë që më parë të pajiseni me letër e stilolaps dhe t’i shënoni tërë emrat e familjes Buendia. Nuk është një libër i thjeshtë, kërkon vëmendje në lexim. Portalb ju siguron që Macondo, ky vend jashtë botës, mes reales dhe fantazisë, mes së vërtetës dhe legjendës, mes misterit dhe ezoterizmit, magjepsës do t’u fascinojë me atmosferën e tij magjike.
Nëse nobelisti i letërsisë Marquez, në shumë intervista ka thënë se është e vështirë që në romanet e tij të mos gjesh gjë që nuk ka lidhje me realitetin, atëherë nuk ka dyshim se edhe ju do ta ndjeni një pikë nga realiteti juaj brenda magjisë së kryeveprës botërore, “100 vjet vetmi”.
Don Kishoti-Kadare e kishte te preferuar
Romani “Don Kishoti i Mançes”, nga gjeniu i letërsisë spanjolle Miguel Servantes, e bashkon në mënyrë krejt të natyrshme prirjen fantastike me shpirtin realist.
Eshte romani i pare modern sipas shume kritikeve dhe sipas te tjereve eshte romani i pare anti roman keshtuqe patjeter te njiheni me këtë vepër madhështore që me një ndërthurje të përkryer të komikes me tragjiken Servantes, e tregon absurditetin në thellësinë e të konceptuarit të gjërave, duke shkuar deri te kërkesat për të arritur idealen, të vertetën dhe drejtësinë e plotë.
Shkrimtari, Huan Lopez, përfshiu në një përmbledhje të vetën disa poezi të Servantesit, duke e përkufizuar autorin “Dishepulli ynë i dashur e i shtrenjtë”.
Romani del në dritë, në periudhën kur romani kalorësiak e kishte humbur plotësisht joshjen dhe vëmendjen e lexuesit të kohës dhe përshkruhet nga një frymë e thellë popullore në të cilin e zgjedh pikërisht një “hero“ të tillë si “Don Kishoti” (një hero grotesk, kompleks), për ta vendosur përballë ngjarjeve dhe situatave të fryra dhe shpesh herë absurde për të realizuar dhe përmbushur aventura përçartëse, të cilat e pozicionojnë si romanin e parë antiroman në historinë e letërsisë, kurse “Don Kishotin” si të parin antihero.
Servantesi e shkroi “Don Kishotin e Mançes”, sikundër na thotë ai vetë, me qëllimin që të diskreditonte librat e kalorësisë. Vepra e tij, pra, ishte doemos revolucionare, se për të diskredituar librat e kalorësisë duhej të diskreditonte tërë Kohën e Mesme me të gjitha përrallat e saj.
Pasi ky roman ka arritur ta fascinoj Ismail Kadarenë, që sipas tij, është një ndër romanet më të pëlqyera të tij, atëherë e keni edhe një arsye më shumë, që nëse nuk e keni lexuar deri më tani, këtë ta bëni sa më shpejtë.
F. Scott Fitzgerald
Gatsby i Madh (The Great Gatsby) është një novelë e shkruar në 1925 nga autori amerikan F. Scott Fitzgerald, që paraqet jetën e disa karaktereve që jetojnë në një qytet joreal.
Ngjarjet e novelës tregohen përmes narratorit të saj, Nik Karrauei, një student i sapodiplomuar në Jale, që është pjesë e botës që ai përshkon, por njëkohësisht dhe i ndarë prej saj. Ai bëhet pjesë e jetës së fqinjit të tij, dhe padashur përfshihet në fundin fatal që pret atë dhe ish të dashurën e tij, Daisy.
Historia fokusohet kryesisht në jetën misterioze të djalit të ri milioner Jay Gatsby dhe pasionit të tij donkishotesk për bukuroshen Daisy Bukanan. Në pamje të parë, ai është një i pasur i ngeshëm që jeton jashtë New Yorkut, buzë ngushticës së Long Islandit, në një vilë madhështore ku jep pritje të jashtëzakonshme. Rreth këtij personazhi shkëlqimplotë dhe shumë të pasur qarkullojnë mjaft fjalë: askush nuk e di nga vjen dhe si e ka vënë pasurinë. Vihet re që është një njeri klasi, që njeh zakonet e shoqërisë së lartë.
Rreth tij mbretëron një frymë madhështie aristokratike dhe personaliteti e tij u bën përshtypje të gjithëve që e takojnë. I tillë është rasti i Nik Kerriuejit, fqinj i Gatsby t misterioz, të cilin Ficxheraldi e ka bërë tregimtarin e historisë.
Milioneri i sajuar dhe vetëshpikur Jay Gatsby mishëron paranë, ambicien, lakminë dhe premtimin për fillimin e ri. Gatsby besonte në dritën e gjelbër, në të ardhmen që hapet vit pas viti para syve tanë e na rrëshqet nga duart.
Vepra është një përshkrim i mrekullueshëm i periudhës kur, siç “The New York Times”, “Xhini ishte pija kombëtare dhe seksi ishte obsesioni i përgjithshëm”.
Narracioni, është konsideruar nga kritikët, dijetarët dhe lexuesit si një gjykim i të ashtuquajturës “Ëndrra Amerikane” që e nënkupton shprehjen e bindjes se pavarësisht se cilit grup social apo ekonomik i përket dikush, ai apo ajo ka mundësinë të arrijnë majat e pasurisë dhe lumturisë nëpërmjet talentit dhe iniciativës personale.
“Gatsby i madh” nuk ishte shumë popullor në fillimet e veta, ku shitjet ishin vetëm rreth 25,000 për 15 vjet. Por kur libri u ribotua në vitet 1945 dhe 1953, një audiencë e re lexuesish e kthyen atë në bestseller.
Libri ë kthyer dhe në verzionin e filmit, ku sot ekzistojnë pesë versione të ndryshme, që datojnë nga viti 1926, 1949, 1974, 2000, 2013. Versioni i fundit i filmit u nderua në vitin 2014 me dy Çmime Oskar.
Nëse s’keni vendosur se çfarë të lexoni ne ua sugjeron që ta siguroni këtë libër të mrekullueshëm, një portret i Epokës Xhaz, me gjithë dekadencën dhe teprimet e saj, Gatsby, do të ju bëj për vete, ashtu siç i ka bërë qindra-mijëra lexues.
Toni Morrison është pseudonim i Chloe Anthony Wofford.
Toni Morrison është pseudonim i Chloe Anthony Wofford, i njërës ndër shkrimtaret më të rëndësishme të kohës sonë, aktualisht është 84 vjeçe dhe është shumë aktive në letërsi. Është fituese e çmimit Nobel për letërsi në vitin 1993, fituese e çmimit Pulitzer, fituese e titullit të Lirisë, titulli më i lartë-CV në SHBA, akorduar nga presidenti Barack Obama, llogaritet si një ndër gratë më të fuqishme të shekullit.
“Dashuri”, është romani i tetë i autores amerikane.
Autorja ka arritur të flas në këtë roman, në mënyrë të mahnitshme, me një pasuri të jashtëzakonshme karakteresh për një temë të komplikuar dhe universale. Përmes këtij librit Morrison përpiqet të sjellë një panoramë të kontestit jetësor të njerëzve me ngjyrë mes dekadave të viteve 50-60. Në qendër të rrëfimit janë historitë e marrëdhënieve njerëzore të përziera me dashuri dhe urrejtje. Në rreshtat e librit shfaqet një diversitet brezash duke dashur që të përçojë këndvështrime të ndryshme duke dërguar mesazhe për arsimim, marrëdhëniet njerëzore, respektin për veten si dhe për luftën e vazhdueshme të afro-amerikanëve për të drejtat e tyre në sfondin e kohës së viteve 60.
Libri është aq kompleks sa janë komplekse të gjitha marrëdhëniet njerëzore, me pak fjalë, është një libër për dashurinë e të gjitha formave. Në të janë të përfshira, dashuria familjare, dashuria romantike, dashuria e dhunshme, dashuria e munguar etj.
Kafka-Procesi
Procesi” është romani më i njohur dhe më i realizuar i shkrimtarit çek, Franc Kafka, i botuar në Berlin më 1926,dy vjet pas vdekjes së tij. Në analizën e romanit “Procesi”, vihet re një e vërtetë tronditëse e realitetit me njeriun e thjeshtë brenda dhe sistemet që ndryshojnë dhe e shikojnë ketë të fundit si një pengesë apo një të mirë për to.
Për arsye se Kafka parapëlqen një të vërtetë të skajshme ku sheqerosjet artistike nuk janë me vlerë në veprën e tij, personazhi përgjithësisht është njeriu i rëndomtë, jo heroi që bën diferencën, Portalb ua rekomandoni ta lexoni këtë roman të mrekullueshëm me plot mistere.Procesi Frank Kafka
Maks Brod, një miku i tij që përgatiti librin për botim për librin në fjalë ka thënë: “Kur mora dorëshkrimin e “Procesit” e lexova me një frymë. Nuk kishte titull, por Kafka kështu e quante sa herë binte fjala për të. Këtë libër vetë Kafka e quante papërfunduar, pavarësisht se e kishte kreun e fundit. Ai mendonte se duhej të shtonte disa anë të tjera të atij procesi misterioz. Por megjithatë, po mos ta dija se Kafka ka pasur ndërmend ta vijonte punën me këtë roman,unë nuk do të gjeja asnjë mangësi në të”.
Romani flet për një qytetar të rëndomtë, nëpunës banke nga një qytet i panjohur, të cilin një mëngjes e arrestojnë dy policë, pa ndonjë arsye, për një krim që nuk i tregohet as atij dhe as lexuesit.
Në personazhin e “Proces”-it zotit “K.”, sistemi gjigant i pushtetit i bën grafikun e jetës pa e shpjeguar se për se e trajton ashtu. Nga ana tjetër kjo mund të analizohet dhe në të kundërt; vetë zoti “K.” nuk ka aftësinë për të kuptuar sistemin megjithëse përpiqet që të kuptojë diçka, përsëri është i mbytur në paqartësi.
Gjatë kësaj kohe njihet me “mjegullinë” e gjykatave, absurdin, hierarkinë e posteve jo vetëm në gjykatë, por dhe në jetën e mirëfilltë.
Atëherë ai imagjinon marifete nga më të dëshpëruarat, që zbulojnë para tij ingranazhe të pakuptueshme dhe mbytëse. Duke mos ditur kujt t’i besojë dhe ku të kapet, ai ulet vetë të përpilojë mbrojtjen e vet, në të cilën kërkon falje për çdo gjë që ka bërë, duke firmosur kështu aktin e fajësisë dhe dënimin e vet.
Harper Lee
Të vrasësh zogun përqeshës” ende thotë atë që duhet të thotë, ai ka mundur tu mbijetojë viteve pa lëkundje.
“Të vrasësh zogun përqeshës”, është i shkruar nga autorja amerikane, Harper Lee, e cila ka përdorur një art vizual dhe me qartësime kinematografike, ku shkrihet një skenë me tjetrën pa nevojën e përkthimit.
Romani përshkohet nga ngrohtësia dhe humori, pavarësisht se trajton çështje shumë serioze si dhuna dhe pabarazia racore, ndaj nëse ende nuk e keni lexuar, Portalb u sugjeron që sa më shpejtë ta keni në duart tuaja.
Vepra është bazuar gjerësisht në kujtimet e autores për familjen e vet dhe për fqinjët, më saktë në ngjarjet që kanë ndodhur afër vendlindjes së saj, kur ajo ishte 10 vjeç.
Historia e librit tregohet nga Skot, vajza 6 vjeçare e një juristi të bardhë, Atikus Finç, i cili mbron një burrë zezak, të akuzuar pa qenë fajtor, për një përdhunim. Kjo ka bërë që, babai i Skotit, personazhit që rrëfen, të jetë si një hero moral për shumë lexues dhe si një model integrimi për avokatët.
“Të vrasësh zogun përqeshës”, Harper LeeRomani i Harper Lee fillimisht u botua në 30 gazeta e revista, duke u diskutuar dhe komentuar gjerësisht nga kritika.
Kritikët dhe gazetarët kanë vënë re një nga elementet më të spikatura të stilit të saj, siç është talenti për të shtjelluar natyrshëm ndodhitë, që në një artikull u cilësua stil brilant dhe se Harper Lee ka një dhuratë të dukshme, “Aftësinë për shtjellimin e historive”.
Më vitin 1961, kur libri kishte 41 javë që renditej në listën bestseller, iu dha çmimi Pulitzer, që e shokoi shkrimtaren Harper Lee. Ajo gjithashtu fitoi çmimin Brotherhood në të njëjtën kohë, dhe Paperback të vitit, çmim nga revista Bestsellers më 1962.
Për romanin në fjalë, presidenti George W. Bush, më 5 nëntor 2007, i dha personalisht shkrimtares Harper Lee çmimin prestigjioz presidencial “Medal of Freedom” apo “Medaljen e Lirisë”, çmim të cilin e kanë marrë personalitete nga më të shquarat në botë, midis të cilave përmendim Nënë Terezën.
Bibliotekat britanike këtë roman, e renditën krahas Biblës duke u shprehur, “Çdo i rritur duhet ta lexojë përpara se të vdesë”.

11
SONDAZHI

Cili është vlerësimi juaj për punën e Gjykatës Kushtetuese? 

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Shkurt, 2026 08:43
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
11
SONDAZHI

Cili është vlerësimi juaj për punën e Gjykatës Kushtetuese? 

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?