Radikulopatia: Kur dhimbja e shpinës nuk kalon me barna kundër dhimbjes
Dhimbja e shpinës shpesh i shtyn pacientët të dyshojnë për radikulopati dhe të kërkojnë lehtësim përmes barnave të zakonshme kundër dhimbjes. Megjithatë, mjekët paralajmërojnë se radikulopatia nuk është një dhimbje e zakonshme dhe se analgjezikët klasikë zakonisht nuk janë efektivë në këtë gjendje.
Radikulopatia është dëmtim i rrënjës nervore që del nga palca kurrizore dhe manifestohet me simptoma të shumta si dhimbje e fortë, ulje e ndjeshmërisë së prekjes, ndjesi shpimi, dobësi muskulore dhe dobësim të reflekseve në gjymtyrë. Këto simptoma ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetës së pacientëve dhe kërkojnë vlerësim të saktë mjekësor.
Specialistët theksojnë se dhimbja e shpinës dhe radikulopatia nuk janë sinonime. Jo çdo dhimbje në zonën e shtyllës kurrizore vjen si pasojë e ngjeshjes së nervit. Në rastet e radikulopatisë, dhimbja është zakonisht neuropatike, me karakteristika specifike dhe kërkon trajtim të ndryshëm nga dhimbjet që vijnë nga muskujt, ligamentet apo indet e tjera.
Shkaku më i shpeshtë i radikulopatisë është hernia e diskut ndërvertebral, e cila ushtron presion mbi rrënjën nervore. Në raste më të rralla, radikulopatia mund të jetë pasojë e proceseve inflamatore ose edhe ndryshimeve tumorale, çka e bën diagnostikën e saktë edhe më të rëndësishme.
Ndryshe nga perceptimi i zakonshëm, radikulopatia nuk prek vetëm të moshuarit. Ajo shfaqet shpesh edhe te personat e rinj dhe te popullata aktive në punë. Faktorë rreziku përfshijnë punët e rënda fizike, ngritjen e peshave, por edhe qëndrimin e zgjatur ulur, si tek shoferët profesionistë dhe punonjësit e zyrave, apo qëndrimin e gjatë në këmbë, si tek punëtorët e fabrikave.
Mjekët paralajmërojnë se kërkimi i zgjidhjeve të shpejta përmes metodave alternative, ndonjëherë të rrezikshme si kiropraktika e pakontrolluar, mund ta përkeqësojë gjendjen. Për këtë arsye, në rast të simptomave të vazhdueshme ose progresive, rekomandohet diagnostikë e thelluar dhe trajtim nën mbikëqyrje mjekësore.
















