Ekspertët paralajmërojnë: Ushqimet industriale mund të krijojnë varësi
Ushqimet industriale ultra të përpunuara nuk janë thjesht produkte ushqimore, por produkte të inxhinierizuara në mënyrë të sofistikuar për të maksimizuar kënaqësinë biologjike dhe psikologjike, duke nxitur konsum të shpeshtë dhe përdorim të zakonshëm, paralajmërojnë ekspertët.
Sipas studiuesve, mënyra se si këto produkte zhvillohen dhe tregtohen përdor strategji të ngjashme me ato të industrisë së duhanit, me synim rritjen e tërheqjes, shmangien e rregulloreve dhe formësimin e perceptimit të publikut. Për këtë arsye, ushqimet ultra të përpunuara kanë më shumë të përbashkët me cigaret sesa me ushqimin tradicional.
Ky është përfundimi i një analize të realizuar nga studiues të universiteteve të Michiganit, Duke dhe Harvardit, e publikuar në revistën shkencore Milbank Quarterly.
Ekspertët theksojnë se ngjashmëritë mes ushqimeve ultra të përpunuara dhe cigareve janë të shumta. “Të dyja janë substanca të inxhinierizuara industrialisht që ofrojnë përvoja shumë të fuqishme sensoriale”, shpjegojnë autorët e studimit, duke shtuar se këto produkte duhet të analizohen “përmes lenteve të shkencës së varësisë”.
Një nga aspektet kryesore është aftësia e këtyre ushqimeve për të stimuluar sistemet e kënaqësisë në tru, duke i bërë konsumatorët më të prirur ndaj mbikonsumit dhe varësisë, çka ngre shqetësime serioze për shëndetin publik dhe nevojën për politika më të forta rregullatore.
















