O ju Taj’ mos luani ping-pong me studentët
Opinion nga Nafia Selmani
Ajo që po ndodh me provimin e jurisprudencës është shembull më tipik i papërgjegjshmërisë institucionale, moskoordinimit qeveritar dhe (keq)përdorimit të ligjit për kalkulime politike, në kurriz të studentëve shqiptarë.
Për një kohë, studentët janë bërë “top” i një ping-pongu deklarativ mes krerëve të Qeverisë: njëri thotë “ligji është i qartë”, tjetri se “ligji duhet rregulluar”, dekarata që as nuk arrijmë t’i ndjekim aq shpesh qe i ndryshojne, ndërsa Ministria përgjegjëse refuzon ta kryeje obligimin.
Në këtë kaos institucional, krerët e VLEN-it kanë zgjedhur krekosjen mediatike pa asnjë efektuim praktik për studentët. Fjalë të mëdha, rrahje gjoksi por zero rezultate. Këta nuk po e kuptojnë se studentët nuk kanë nevojë për deklaratat tuaja, por për zgjidhje ligjore dhe institucionale.
Akoma më shqetësuese është sjellja inferiore dhe nënshtruese e VLEN-it ndaj fyerjeve dhe shpërfilljes nga partnerët qeveritar. Në vend që të mbrojnë një të drejtë kushtetuese dhe barazinë gjuhësore, ata kanë pranuar rolin e lypësit, duke toleruar arrogancën politike të atyre që e shohin ligjin si mjet për dominim, jo për drejtësi.
Burime të sigurta thonë se studentët shqiptarë janë takuar me krerët e VLEN-it që para më shumë se një viti, pikërisht për këtë problematikë. Pse nuk ndërmorën ata asnjë hap konkret që atëherë?
Mbetet akoma më e paqartë pse Afrim Gashi në rolin e Kryetarit të Kuvendit e ka mbajtur në sirtar propozim-ndryshimin ligjor nga janari i vitit 2024, i cili do të mund ta korrigjonte padrejtësinë ekzistuese dhe të eliminonte interpretimet arbitrare të ligjit. Heshtja dhe zvarritja në këtë rast janë më keq sesa një refuzim i hapur.
Kulmi i absurditetit juridik është diskriminimi i hapur mes studentëve shqiptarë është se studentëve të Mjekësisë dhe Stomatologjisë u lejohet që provimet shtetërore t’i japin në gjuhën shqipe, ndërsa studentëve të Drejtësisë kjo e drejtë u mohohet. Pse???
Në fund, O ju Taj’, studentët nuk po kërkojnë privilegj, por trajtim të barabartë. Çdo gjë tjetër është manipulim politik dhe dështim institucional. Lëreni llafet se na lodhët, na e keni gërdit, po bëjeni punën për të cilën po paguheni nga paratë tona, dhe po bëni jetë qejfesh me privilegje që fatkeqësisht ua mundësojnë “ligjet”, ndërsa studentëve u mohohet një e drejtë themelore, njerëzore, kushtetuese.
















