Tragjedi në Ankara: I burgosuri në leje të përkohshme vret tre familjarë dhe më pas veten
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Turqinë, pasi një i burgosur që ndodhej në leje të përkohshme nga burgu dyshohet se ka vrarë tre familjarë dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
Sipas mediave turke, ngjarja ka ndodhur në lagjen “Kuşcağız” në Ankara. Recep Cengiz, 35 vjeç, i cili po vuante një dënim katërvjeçar për mashtrim dhe kërcënime me armë, kishte përfituar një leje 11-ditore nga burgu.
Raportohet se pas lirimit të përkohshëm, ai është përballur me nënën e tij, Azize Cengiz, 57 vjeç, dhe vajzën e tij 8-vjeçare, Azra. Pas një debati, ai dyshohet se i ka qëlluar për vdekje dhe më pas ka vendosur trupat e tyre në bagazhin e automjetit.
Më pas, 35-vjeçari është drejtuar në banesën e ish-bashkëshortes së tij, Beyzanur Uçan Cengiz, me të cilën ishte i divorcuar. Sipas raportimeve, ai është paraqitur i maskuar si korrier dhe e ka qëlluar për vdekje në pragun e derës së saj. Pas krimit, ai dyshohet se ka drejtuar armën nga vetja dhe ka kryer vetëvrasje.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe motiveve që çuan në këtë akt tragjik. Mediat raportojnë gjithashtu se Cengiz fillimisht mbahej në një burg të mbyllur, por më pas ishte transferuar në një burg të hapur. Dyshohet se para sulmit ai kishte dëmtuar instalimet elektrike në banesën e ish-bashkëshortes, në përpjekje për të shmangur identifikimin nga kamerat e sigurisë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik në Turqi, veçanërisht lidhur me sistemin e lejeve të përkohshme për të burgosurit.
Flaka
















