Ushqimet që ndihmojnë në largimin e nikotinës nga trupi
Lënia e duhanit është një hap i madh drejt një jete më të shëndetshme, por procesi i pastrimit të trupit nga nikotina mund të jetë sfidues. Ekspertët rekomandojnë që, përveç vullnetit dhe mbështetjes profesionale, të kushtohet rëndësi edhe ushqimit, pasi disa produkte mund të ndihmojnë organizmin të rikuperohet më shpejt.
Hithra konsiderohet veçanërisht e dobishme falë përmbajtjes së lartë të hekurit. Ajo vepron si detoksifikues natyral dhe ndihmon në forcimin e organizmit, duke mbështetur trupin gjatë procesit të largimit të nikotinës.
Në listën e ushqimeve të rekomanduara përfshihen edhe selinoja, kungulleshkat, patëllxhani, fasulet dhe kastravecat, të cilat sipas disa studimeve mund të ndihmojnë në uljen e dëshirës për nikotinë. Nga ana tjetër, këshillohet të shmanget konsumimi i tepërt i perimeve dhe ushqimeve shumë të ëmbla, pasi nivelet e larta të glukozës mund të stimulojnë zonat e trurit që lidhen me kënaqësinë dhe të shtojnë dëshirat.
Portokajt, falë përmbajtjes së lartë të vitaminës C, ndihmojnë në përshpejtimin e metabolizmit dhe në uljen e stresit, ndërsa kivi kontribuon në rimbushjen e vitaminave A, C dhe E – nivele që shpesh bien tek personat që pinë duhan.
Një tjetër zgjedhje e mirë është lëngu i karrotës, i pasur me vitamina A, B, C dhe K. Përveç ndihmës në eliminimin e nikotinës, ai ndikon pozitivisht në rikuperimin e lëkurës, e cila shpesh dëmtohet nga pirja e duhanit.
Brokoli përmban vitamina B5 dhe C, si dhe substanca që ndihmojnë në mbrojtjen e mushkërive nga dëmtimet e shkaktuara nga toksinat. Ndërsa spinaqi, i pasur me vitamina dhe acid folik, mbështet procesin e pastrimit të organizmit dhe përmirëson shëndetin e përgjithshëm.
Megjithatë, specialistët theksojnë se ushqimi i shëndetshëm është një mbështetje shtesë dhe nuk zëvendëson këshillimin mjekësor apo programet profesionale për lënien e duhanit.
Flaka
















