Trump kërcënon Iranin me pasoja “shumë traumatike” nëse dështon marrëveshja bërthamore
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin me pasoja “shumë traumatike” nëse nuk arrihet një marrëveshje për programin bërthamor të Teheranit. Deklaratat ai i bëri një ditë pasi priti në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Duke folur për gazetarët, Trump tha se shpreson që brenda muajit të ardhshëm të ketë një rezultat nga negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit.
“Ne duhet të bëjmë një marrëveshje, përndryshe do të jetë shumë traumatike. Nuk dua që kjo të ndodhë, por duhet të bëjmë një marrëveshje. Do të jetë shumë traumatike për Iranin nëse ata nuk arrijnë një marrëveshje”, u shpreh ai.
Trump theksoi se nëse negociatat dështojnë, SHBA-ja do të kalojë në “fazën e dytë”, të cilën e përshkroi si shumë të vështirë për Iranin. Ai gjithashtu la të hapur mundësinë e shtimit të pranisë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, përfshirë dërgimin e një aeroplanmbajtëseje të dytë për të rritur presionin ndaj Teheranit.
Nga ana tjetër, Netanyahu, i cili udhëtoi drejt Uashingtonit për të kërkuar një qëndrim më të ashpër ndaj Iranit – veçanërisht për përfshirjen e arsenalit të raketave balistike në bisedime – shprehu skepticizëm për cilësinë e çdo marrëveshjeje të mundshme.
“Nuk do t’ju fsheh se shpreha skepticizëm të përgjithshëm në lidhje me cilësinë e çdo marrëveshjeje me Iranin”, deklaroi Netanyahu para nisjes për në Izrael.
Megjithatë, Trump konfirmoi mbështetjen e tij personale për kryeministrin izraelit, ndërsa kritikoi presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, për refuzimin e kërkesës për faljen e Netanyahut lidhur me akuzat për korrupsion.
Deklaratat vijnë në një kohë kur SHBA-ja dhe Irani kanë rifilluar bisedimet, me një takim të zhvilluar javën e kaluar në Oman, ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta.
Flaka
















